Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në një takim Shpëtim Selmanin, prozator e poet dhe së fundmi laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi për vitin 2020. Dumoshi me këtë rast i ndau mirënjohje shkrimtarit Selmani për të arriturat në përmasa ndërkombëtare, në fushën e letërsisë si dhe i bëri dhuratë okarinën – instrumentin e lashtë ilir.

Ministrja u shpreh e lumtur që emrat e shkrimtarëve e artistëve shqiptarë çdo ditë e më tepër po tejkalojnë kufijtë shqipfolës e po njihen ndërkombëtarisht. “Ky është jo vetëm sukses personal, por sukses dhe përforcim i imazhit të Kosovës në Evropë e botë”, tha Dumoshi.

Ajo u zotua se do të mbështesë gjithmonë shkrimtarë që kanë suksese ndërkombëtare të cilët janë ambasadorët më të mirë të vendit.

Ndërsa, shkrimtari Selmani e falënderoi ministren Dumoshi për mirënjohjen, e cila është një njohje e kontributit të tij dhe njëkohësisht shtysë për rrugëtimin e tij të mëtejmë letrar.

Ndryshe, shkrimtari Selmani ka fituar edicionin e dymbëdhjetë të ndarjes së çmimeve të BE-së për letërsi (EUPL) i cili njeh shkrimtarët nga e gjithë Evropa dhe përfshin 31 vende. Ky çmim i është ndarë autorit nga Kosova me motivacionin një rrëfim që trajton një larmi temash nga e zakonshmja dhe shpirtërorja duke ndërtuar monologë të brendshëm, të cilët demonstrojnë transformime njerëzore në mes personazhesh.