Përfaqësuesit e organizatave janë shprehur të lumtur për nënshkrimin e memorandumeve duke falënderuar ministren

Përfaqësuesit e organizatave janë shprehur të lumtur për nënshkrimin e memorandumeve duke falënderuar ministren

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka nënshkruar sot pesë memorandume bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK), dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK).

Memorandumet në emër të MKRS-së janë nënshkruar nga ministrja Dumoshi, ndërkaq në emër të KOK-ut ka vënë firmën kryetari Besim Hasani, duke siguruar kështu 3-mujorshin e parë të këstit.

Nga FFK-ja memorandumin e ka nënshkruar kryetari i Federatës, Agim Ademi. Po ashtu, kjo federatë është mbështetur me vlerë financiare për realizimin e objektivave për vitin 2020. Ndërsa, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka nënshkruar memorandumin për përkrahje financiare.

Në emër të Federatës së Volejbollit të Kosovës ka nënshkruar kryetari i Federatës, Abedin Ibrahimi. Ndërkaq, për FHK-në ka nënshkruar kryetari Eugen Saraçini.

Këto federata, të cilat kanë nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit, nga nesër në xhirollogaritë e tyre do të kalojë kësti për tre muajt e ardhshëm në mënyrë që t’iu gjinden pranë sportistëve në këtë kohë të vështirë pandemie.

Ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi ka thënë se përkrahja e MKRS-së për Komitetin Olimpik dhe katër federatat iu mundëson atyre të kenë planifikim më të mirë të aktiviteteve dhe të realizojnë programin në mënyrë më të suksesshme.

Ajo ka thënë se do të angazhohet që edhe në vazhdimësi ta mbështesë sportin në vend në mënyrë që të krijohen lehtësira sportistëve dhe trajnerëve që t’i realizojnë qëllimet dhe të arrijnë suksese nëpër gara vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, përfaqësuesit e organizatave, të cilat kanë  nënshkruar memorandumet janë shprehur të lumtur për nënshkrimin e memorandumeve duke falënderuar ministren për mbështetje në këtë kohë pandemie dhe kanë premtuar që do vazhdojnë të punojnë fuqishëm që të sjellin në vend çmim dhe medalje të ndryshme.