Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, sot ka vizituar edhe lokalitetin arkeologjik në Dresnik të Klinës, me ç’rast u zotua se do t’i kushtojë kujdes të veçantë trashëgimive kulturore, derisa ka theksuar se duhet të punohet fuqishëm për t’u bërë pjesë e UNESCO-s.

Dumoshi ka thënë se ministria që ajo udhëheq, e ka për obligim që pjesët arkeologjike t’i vendosë në pah.

“Jashtëzakonisht ndjenjë e mirë kur e sheh që toka e Kosovës është e pasur shumë në pjesën e arkeologjisë dhe kjo gjetje për neve është një monument, një thesar i çmuar në trashëgimin kulturore… Këtu është një profesor nga Gjermania me 15 studentë, të cilët merren me arkeologji nga pjesë të ndryshme të Evropës. Ne si MKRS do të tregojmë kujdes të veçantë sidomos të financimit, por edhe një “marifet” i profesionistëve dhe andaj e kemi edhe profesorin nga Gjermania, i cili po jep kontributin e vet… E kemi për detyrë që pjesën tonë të arkeologjisë të vendosim në pah edhe organizata evropiane për trashëgimi, i cili është një projekt shumë i madh pjesë e UNESCO, kështu që ne hap pas hapi duhet të punojmë që të jemi anëtarë të UNESCO”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa, kryetari i Klinës Zenun Elezaj, tha se në lokalitetin arkeologjik në Dresnik aktualisht po qëndron një grup i studenteve vullnetarë të arkeologjisë nga vende të ndryshme evropiane. Ai ka shtuar se së bashku me ministren Dumoshi po përkrahin këtë projekt të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

“Falënderoj ministren, e cila është mysafire sot në komunën e Klinës, e cila vizitë ka të bëjë edhe me aktivitetet kërkimore-shkencore, të një grupi vullnetar të ekspertëve arkeolog nga të gjitha shtetet evropiane dhe më gjerë. Ministrja dhe unë jemi sot këtu për të mbështetur projektin e Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe ta promovojmë këtë trashëgimi që e kemi breza me radhë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Elvis Shala, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës, u shpreh falënderues ndaj ministres Dumoshi dhe Komunës së Klinës, për përkrahjen e këtij projekti, derisa u shpreh i bindur se për një kohë të shkurtë Dresniku do të jetë brenda mbrojtjes së UNESCO.

“Falënderoj MKRS dhe komunën e Klinës për mbështetjen e projektit. Kurse për trajnimin e studentëve të rinj falënderoj Këshillin për Trashëgimi kulturore dhe profesorin, i cili i solli studentët dhe ata u informuan si punohet në Kosovë, të cilët kur kthehen në vendet e tyre janë të gatshëm për punë profesionale. Unë besoj fuqishëm që Dresniku për një kohë të shkurt do të jetë brenda mbrojtjes së UNESCO, për vetë faktin se lokaliteti ka një vlerë të veçantë historike dhe plotëson të gjitha kriteret për me qenë pjesë e mbrojtjes së UNESCO”, ka thënë Shala.