Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi ka deklaruar se deri në muajin nëntor do të përfundojnë gjashtë ligjet të cilat i kanë paraparë si ministri. Ndërsa, sa i përket Ligjit për Trashëgimi Kulturore tha se janë në përfundim të hartimit dhe së shpejti do ta procedojnë në Kuvend për miratim.

Dumoshi ka theksuar se do të rishikohen listat e përkohshme dhe përhershme të aseteve.

Kështu është shprehur ajo gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Nënkryetari i komisionit Jahja Koka ka kërkuar të di se çfarë po ndodhë me Burgun e Prishtinës, i cili është paraparë të shndërrohet në Muze.

“Çka po ndodhë me projektin e çarshi xhamisë, nuk është ndërmarrë asnjë hap edhe pas dy viteve të nënshkrimit të marrëveshjes. E njëjta ka ndodhë dhe po ndodhë me hamamin e Prishtinës. Çka po ndodhë me të? Çka po ndodhë me burgun e Prishtinës, meqë është bërë një ekspozitë preliminare, kur planifikohet të hapet muzeu dhe sa është buxheti”, ka thënë ai.

Vlora Dumoshi ka deklaruar se këto projekte janë shumë domethënëse për trashëgiminë kulturore.

“Çarshia e Xhamisë është më e vjetra në rajon. Në këtë projekt nuk ka pasur keqpërdorime. Me keqardhje e them që Komuna e Prishtinës nuk ka mbërri me i krye punimet. Në takimin që e kam pasur me kryetarin, është thënë se tash e kanë marrë turqit dhe pritet me u marrë prapë. Për keqardhje është edhe hamami i Prishtinës. Burgu u Prishtinës është projekt shumë domethënës. Muzeu nuk mundet me u bo për 1 muaj apo 6 muaj. Sa i përket buxhetit, MKRS e ka buxhetin”, është përgjigjur Dumoshi.

Anëtarja e Komisionit, Teuta Haxhiu tha se është me rëndësi të dihet se ku është Ligji për Trashëgimi kulturore dhe sa është punuar në këtë aspekt.

“Unë kërkoj një raport të të gjitha aseteve të cilat janë në listën e mbrojtjes dhe të dimë për to.

Ndërsa Dumoshi tha se janë duke punuar në përfundimin e ligjit.

“Ne jemi duke punuar dhe jemi në përfundim të ligjit. Ne deri në nëntor duhet të dorëzojmë gjashtë ligje që i kemi paraparë në programin e ministrisë. Lista e përhershme dhe e përkohshme e shumë aseteve tona ne duhet ta rishikojmë këtë pjesën të cilën e kemi listën e përkohshme. Kemi kërkesa edhe prej qytetarëve. Është anomali nëse thuhet që këtu ka qenë një kullë dhe aty është vetëm toka dhe aty është hyre në listën e përkohshme”, ka theksuar ajo.

Deputeti i partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Fitim Uka tha se me rishikim të buxhetit është bërë sakatosje e buxhetit në linja të rëndësishme.

“I keni vetëm tre paragrafë për të rinj. Se kam të qartë ku është baza e tyre dhe si do i realizoni. Shumica e të rinjve dëshirojnë të ikin prej vendit. E çuditshme është që nuk shohim ende një plan konkret për të rinjtë. Nuk e di nëse ka ndonjë fond të MKRS-së se si me rikthyE trurin e vendit. Sa për qind e fondeve janë nda dhe pse nuk janë ndarë të gjitha, a mendoni që edhe kultura me qenë e pavarur. Pse po vonohet mbështetja e tyre”, është shprehur ai./kp