Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i shoqëruar nga Ministria e Kulturës Vlora Dumoshi, pasditen e sotme qëndruan në komunën e Podujevës, ku zhvilluan një aktivitet të përbashkët, të iniciuar nga organizata PEN dhe UNICEF, me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës Nexhmi Rudari, u zotua se do t’i përkrah gjithmonë iniciativat e të rinjve, derisa iu bëri thirrje qytetarëve për kujdes.

“Ky aktivitet është për të dëshmuar përkushtimin e gjithë këtyre organizatave UNICEF, ambasadës, ministrive, komunës, rinisë që bashkë mund të bëjmë punë të mëdha dhe puna më e madhe sot për ne është të vetëdijesohemi dhe të mbrohemi nga covid-19, derisa më në fund me shpresë do ta kemi edhe vaksinën”, ka thënë Rudari.

Ambasadori Japonez, Mitsunori Ogasawara, u shpreh i lumtur që të rinjtë e Kosovës, me anë të aktiviteteve po tentojnë të bëjnë ndryshime në shoqëri.

“Problemi i COVID-19 është problem global, edhe në Japoni po shihet se të rinjtë po dalin në kafene, andaj jemi këtu të bëjmë thirrje për vetëdijesim. Jam shumë i lumtur që po shoh të rinj këtu që po tentojnë të bëjnë një ndryshim në shoqëri, jam i lumtur ti mbështes dhe le t’i shohim këta të rinj si agjenda të ndryshimit në komunitet”, ka thënë ai.

Kurse ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, edhe njëherë bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe respektim të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Në momentet e vështira duhet të jemi së bashku, t’i respektojmë institucionet. Ajo çka neve na duhet është të vazhdojmë të jetojmë, ta zhvillojmë jetën por të kujdesemi për shëndetin. Kujdesi më i mirë është të mbajmë maskën, distancën dhe higjienën personale… Bashkë me kryetarin e komunës jemi të angazhuar që të fuqizojmë kapacitetet e kujdesit parësor në këtë komunë dhe njëherësh të bëjmë funksional spitalin e Podujevës, i cili do të ndihmoj qytetarët të marrin shërbime pa pasur nevojë për të ardhur në Prishtinë”, ka thënë Zemaj.

Kurse, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, ka thënë se vazhdimisht i përkrah të rinjtë, të cilët punojnë për vetëdijesimin e popullatës.

“Jam e kënaqur kur çikat tona marrin iniciativa dhe kjo do të thotë që çikat janë më të forta… Me Ministrin Zemaj jemi munduar t’i mbështesim të rinjtë në organizata për vetëdijesimin e popullatës, për tu mbrojtur nga ky virus. Ne si MKRS jemi sot në Podujevë të cilën e përfundojmë me një thënie “shëndeti është pjesa më vitale e popullatës” e atë po e bënë më së miri ministri me kryetarin e komunës për këto muaj”, ka thënë ajo.

Në kuadër të këtij aktiviteti u shpërndanë maska falas te qytetarët.