Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta financojë manifestimin “Flaka e Janarit”, në Gjilan. Kjo u bë e ditur gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet ministres Vlora Dumoshi dhe kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri. Ministria Dumoshi, u shpreh e lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi, i cili përkrah festivalin “Flaka e Janarit”.

“Sot është një ditë e veçantë 2 korriku, siç e tha edhe kryetari Haziri. Me këtë rast, kemi bërë memorandumin e bashkëpunimit të manifestimit tradicional dhe shpejt do të hynë në trashëgimin shpirtërore, kjo ndërlidhet edhe me 2 korrikun, edhe me të gjithë njerëzit të cilët kanë dhënë kontribut të pamohueshëm”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa kryetari Lutfi Haziri, ka deklaruar se nënshkrimi i këtij memorandumi, tregon kujdes institucional për Gjilanin.

“Jam i nderuar që sot në vizitë pres ministren Dumoshi në ditën e veçantë të 2 korrikut, simbolika e heronjve tanë, të cilët shpallën deklaratën e pavarësisë dhe vendosën themelet e shtetit që ne e gëzojmë. Ardhja e ministres na tregon kujdesin e veçantë për komunën tonë. Nënshkrimi i marrëveshjes lidhet me festivalin e madh të Gjilanit “Flaka e Janarit”, dhe vullneti i ministres për herë të parë institucionalizon këtë manifestim dhe kujdesi i Qeverisë duke respektuar edhe vendimin e qeverisë së kaluar në vitin 2015 e tutje që “Flaka e janarit” të marrë karakter kombëtar”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, ministrja Dumoshi, e shoqëruar nga kryetari Haziri, kanë vizituar edhe stadiumin e qytetit në Gjilan./kp