Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka premtuar mbështetje për biblioteka në zgjerimin e projektit të digjitalizimit, duke thënë se pandemia me koronavirus ka vënë në pah nevojën për qasje digjitale në libra.

Ajo këto komente i bëri me rastin e 76-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe 100-vjetorit të lindjes së veprimtarit Anton Çeta, për të cilin u hap edhe ekspozitë me fotografitë e tij.

Dumoshi tha se pavarësisht situatës së krijuar me COVID-19, ajo u ka qëndruar pranë institucioneve që merren me librin duke i përkrahur me buxhet shtesë.

“Ndikimi që pati kjo pandemi në Bibliotekën Kombëtare në ndalimin e kontaktit të lexuesit me librin, vuri në pah edhe më fuqishëm nevojën për sigurimin e qasjes në materiale të digjitalizuara. Biblioteka ka nisur me digjitalizimin, por i duhen pajisje mbështetëse për më shumë efikasitet, si dhe përcaktimin e një platforme për lansim digjital. Si ministre zotohem se do të mbështesë bibliotekën në zgjerimin e projektit të digjitalizimin duke afruar qasje të lirë ne koleksionin me vlerë si për qytetarët e vendit, ashtu edhe për ata jashtë saj”, tha ajo.

Muajin nëntor, Dumoshi e ka shpallur muaji i Anton Çettës, derisa sot në shënimin e 100-vjetorit të lindjes së tij, u hap ekspozitë me fotografitë e tij nga veprimtari Salih Cacaj.

“Kam një emocion jashtëzakonisht të veçantë sepse profesor Anton Çetta ishte mik i familjes sonë dhe në periudhat më të rënda të familjes sime ai gjithmonë qëndroi pranë nesh, dhe pikëllimin tonë e ktheu në krenari. Andaj, Donikë, edhe pse i patëm e nuk i patëm shumë gjatë, ne jemi si fëmijë të detyruar të trasojmë rrugën e tyre e sidomos të profesor të Anton Çettës që dolën shumë intelektual nga puna e tij. Besoj që do të punojmë që njerëzit t’i lartësojmë sa më lart dhe të jenë pjesë e historisë sonë të ndritur të Kosovës”, tha ajo.

Në shënimin e 76-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, drejtori i këtij institucioni Fazli Gajraku tha se tani posedojnë mbi 2 milionë ekzemplarë.

“Ishte bibliotekë herë e pushtetit, herë e shtetit, herë multietnike, herë etnike derisa u bë Biblioteka Kombëtare e Republikës së Kosovës. Për këtë bibliotekë, me këtë fond bibliotekar e me këto koleksione që përmban e që janë pjesë e trashëgimisë 76-vjeçare, është dashur shumë punë, mund, kujdes, vuajtje e shqetësime, për ta bërë atë që duam dhe ajo është një luftë pothuajse kurrë e fituar”, tha ai.

Në këtë përvjetor, u nënshkrua edhe plani strategjik afatgjatë i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Nënshkrimi i planit strategjik të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për pesë vitet e ardhshme, bashkë me planin e veprimit që derivon nga plani strategjik, bibliotekën tonë e vendos në binarë të vërtetë dhe dëshmon qartë për esencën e funksionit të saj përsëri dhe objektivat e saj strategjike”, tha kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita me fotografitë e veprimtarit Anton Çetta është e hapur në objektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.