Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherësh koordinatori nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, Florian Dushi, sot ka marrë pjesë në një ceremoni zyrtare të organizuar nga OSBE, me rastin e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në mes të komunave dhe Qendrës për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë.

Ai ka thënë se nënshkrimi i këtij memorandumi, përveç se do të ndihmojë qendrën për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, njëherësh do të obligojë akterët relevantë që të merren me këtë fenomen, përfshirë edhe institucionet që zbatojnë ligjet dhe politikat për parandalimin e dhunës në familje.

Dushi ka bërë të ditur se strategjia e re kundër dhunës së familje do të adresojë rritjen e shërbimeve të rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje duke bërë ndarjen e fondeve për shërbime integruese afatgjata në nivelin qendror dhe lokal.

Sipas tij, po ashtu, do të bëhet themelimi i institucioneve dhe këshillimoreve me programe obligative për kryesit e dhunës. Në këtë strategji do të parashihet që në strehimore të ketë edhe një aneks për strehimin e nënave me fëmijë djem mbi 12-vjeç, thuhet në një komunikatë për media.