Objekti që duhej të shërbente si Klinikë Emergjente në QKUK pritet të shndërrohet në spital COVID. Kjo klinikë nisi së ndërtuari më 2016 dhe duhej të lëshohej në funksion në afat prej tre vitesh. Edhe pse jemi në vitin 2020 në këtë objekt janë kryer vetëm punimet e vrazhda dhe destinimi i këtij objekti pritet të ndryshojë përkohësisht.

Ministria e Shëndetësisë thotë se është përzgjedhur projektuesi dhe punimet do të fillojnë së shpejti në mënyrë që në këtë objekt të trajtohen të gjithë pacientët me COVID-19 në rast të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë.

Ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për KosovaPress deklaroi se ky objekt ka qenë më i përshtatshmi për t’u përgatitur për spitalin COVID.

Zemaj thotë se pas përfundimit të pandemisë ky spital do të kthehet për shfrytëzim si Klinikë Emergjente.

“Kjo situatë e qetë pandemike na ka krijuar mundësi të përgatitjeve të reja për çfarëdo faze apo situate, nëse eventualisht kemi përkeqësim të situatës epidemiologjike në këtë aspekt që nga fillimi i pandemisë është tentuar të bëhet zgjerimi i kapaciteteve spitalore, nuk ka pasur ndonjë rast konkret përpos kërkesave dhe hulumtimit të objekteve apo ndërtimit të objektit të ri. Jemi në fazën e cila ka përfunduar projektimi i emergjencës dhe menjëherë gjatë javëve do iniciohet që ky objekt të shndërrohet në spital COVID. Hapat janë të shpejtë, dinamikë dhe konkret. Kemi siguruar edhe një pjesë buxhetore dhe shumë shpejt besoj që do t’i futemi realizimit të këtij projekti, i cili neve na siguron që të kemi një lloj komoditeti të trajtimit të rasteve COVID nëse përkeqësohet gjendja. Mbi të gjitha ajo që është edhe arsyeja pse kemi zgjedhur këtë projekt është sepse i kthehet destinimit për çka edhe është nisur në emergjencë në QKUK”, tha Zemaj.

I pari i shëndetësisë kosovare ka folur edhe rreth kapaciteteve që do ofrohen në dispozicion për trajtim të pacientëve me koronavirus.

Ministri Zemaj tha se kostoja për përfundimin e këtij projekti është e përballueshme për buxhetin e Kosovës.

“Kostoja është e përballueshme edhe për buxhetin e Kosovës kemi pasur edhe parametra të tjerë të cilët kanë qenë goxha enormë nëse kishim pasur një objekt jashtë Qendrës Klinike Universitare apo hartimin e një objekti të ri. Po shpresojmë dhe besojmë që do jetë e përballueshme por edhe e shpejt për t’u përfunduar. […] 400 deri në 500 shtretër është planifikuar diku 50 deri në 70 shtretër intensiv. […] Të gjitha sipas sistemit edhe projekti që është duke u bërë vetëm ka përfunduar faza projektuese, (fituesi) është zgjedhur”, deklaroi Zemaj.

Krahas hapësirave për trajtim më adekuat për të infektuarit me këtë virus, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se përqendrimi i të gjithë pacientëve në një hapësirë do të krijojë lehtësi edhe për profesionistët shëndetësorë.

“Për rastet e trajtimit me COVID, ato që do jeni raste spitalore, ky objekt do shndërrohet për atë. Është më lehtë edhe për profesionistët shëndetësorë, është më komod trajtimi, intervenimi bëhet më i hershëm, përkujdesja është e vazhdueshme, shpresojmë dhe besojmë që në kuadër të kësaj të shpëtohen edhe jetë nëse ka raste të rënda ashtu siç kishim edhe raste të rënda gjatë muajve korrik dhe gusht”, u shpreh Zemaj.

Ndërtimi i Klinikës së re Emergjente i cili është investim i Ministrisë së Shëndetësisë në vlerë prej rreth 8 milionë euro nisi në vitin 2016 dhe ishte paraparë që të ndërtohet në një afat kohor prej 3 vjetësh./kp