Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se dëshmorët e luftës heroike të UÇK-së, Fehmi e Xhevë Krasniqi Lladrovci pritet të bëhen me shtatore në Vlorë.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se angazhimi për t’u ngritur shtatoret tashmë kanë filluar dhe pret që së shpejti të realizohet në një nga sheshet e qytetit ku u shpall pavarësia e Shqipërisë.

“Vlora është vendi i përjetësimit të idealeve të mijëra dëshmorëve për liri dhe pavarësi që ndoqën përvojën më të pastër atdhetare, të filluara nga ky vend i nderit e lavdisë. Falënderoj personalitetet, njëherësh miqtë e mi, të cilët po merren me jetësimin e vendosjes së shtatoreve në Vlorë. Nderimi për heronjtë, është nderim për të tashmen dhe të ardhmen e kombit. Faleminderit”, ka shkruar ai.