Ferizaj është kampion i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Në finale, Ferizaj ishte më i suksesshëm se Istogu, pas dy ndeshjeve. Ndeshja e parë në Ferizaj u fitua nga skuadra vendase me rezultat 34:29. Të martën Istogu fitoi me rezultat 27:26, por festa i takoi lojtareve të Ferizajt.

Kupën e kampionit, presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, ia ka dorëzuar kapitenes së Ferizajt, Y. Kupina.

Ferizaj për herë të parë garoi në Superligë, ndërsa ia doli të fitoi titullin e kampionit. Përvoja e lojtareve të kësaj skuadre e ka bërë dallimin. Në gjysmëfinale dhe finale të plejofit është dalluar portierja me përvojë, E. Rogova. Ajo edhe të martën thuajse e mbylli portën e Ferizajt.

Në ndeshjen e së martës në të cilën Istogu ishte vendas, Ferizaj ka qenë në epërsi për kohë të gjatë. Ka nisur shkëputjen pas minutës së 15-të, ndërsa pjesa e parë përfundoi 13:10 për ferizajaset. Në minutën e 50-të rezultati është barazuar në 20:20. Më pas ka vazhduar lojë e barabartë. Në minutën e fundit Istogu shënoi dy gola dhe fitoi ndeshjen, por që nuk ishte mjaftueshëm për të fituar titullin e kampionit. Istogu ishte kampion edicionin e kaluar.

Pos portieres Rogova, te Ferizaj janë dalluar edhe A. Kelmendi me 7 gola, A. Basha me 6 gola e A. Salihu me 5 gola. Por kontribut kanë dhënë edhe të gjitha lojtaret tjera.

Te Istogu me efikasitet u dallua A. Rugova me 10 gola.