Ambasada e Shteteve të Bashkuara këtë vit, feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit të tyre me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj të cilat bashkëpunojnë me ata dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqja, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë.

Përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, pritja tradicionale e ambasadës është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale.

Ambasadorit amerikan Philip S. Kosnett me rastin e Ditës së Pavarësisë, ka thënë se populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute.

“Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global. Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale. Në këtë Ditë të Pavarësisë së Amerikës, le të zotohemi përsëri për përpjekjet tona më të mira për të ndërtuar shoqëri – për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët – që pasqyron ëndrrat e themeluesve tanë dhe i përmbush detyrimet tona ndaj brezave të ardhshëm”, ka thënë  ndër tjerash ai.

Fjalë rasti ka mbajtur edhe doktori, Lul Raka.

“Populli i Kosovës do t’u jetë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në kultivimin e idealeve që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë e 4 Korrikut 1776. Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.Liria është gjithashtu histori e rezistencës. Dhe ndërsa njerëzit e Kosovës kanë lëvizur nga rezistenca e tyre ndaj tiranisë në pavarësi e liri, ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e punë, shëndetësi, arsim e shkencë, art e kulturë.Gjatë këtij viti, bota e mbylli pandeminë COVID-19 me një virus vdekjeprurës që po e kërcënon njerëzimin. Njerëzit tanë gjithashtu janë përballur me këtë sfidë të vështirë me burime të kufizuara. Por miqtë janë bashkë në ditë të vështira. E njëjta gjë ndodhi edhe kësaj radhe kur miqtë tanë amerikanë ndihmuan popullin tonë duke e mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës. Ju falënderojmë për këtë mbështetje thelbësore.Pasi ende nuk ka ndonjë ilaç apo vaksinë, parandalimi i kësaj sëmundjeje mbetet arma e vetme që kemi në dispozicion. Të dashur qytetarë, ju lusim t’i ndiqni këshillat për parandalim duke mbajtur distancën tuaj fizike kudo dhe në çdo kohë, duke veshur maska dhe duke mbajtur higjienën e duarve. Vetëm së bashku mund të përballemi me këtë sfidë!”, ka thënë ndër tjerash ai.