Para një numri të madh adhuruesish të kinemasë dhe aventurës malore është hapur sonte në Prishtinë Festivali i Filmave Malorë BANFF.

Drejtori i festivalit Besnik Shala ka thënë se filmat që do të shfaqen gjatë dy ditëve sjellin histori frymëzuese nga pikat sfiduese të Tokës, me shpresën se shikuesit t’i përjetojnë më shpesh mrekullitë e planetit tonë.

“Vijmë në Prishtinë të mbështetur nga një komunitet fantastik i aventurës në natyrë, kurse ndjehemi tejet të lumtur që ky entuziazëm është treguar edhe në nivel institucional, dhe kjo është treguar nga mbështetja që kemi marrë dhe nga prezenca juaj sonte”, ka thënë ai,

RED Programme hapi sonte festivalin me një përmbajtje filmash ku trajtohet çiklizmi malor, vrapimi, surfi, skijimi dhe aventura në terrenet më sfiduese në botë.

Të 16 filmat që shfaqen në Prishtinë më 7 dhe 8 tetor janë produksione të vendeve të ndryshme të botës, përfshirë Kanadanë, Amerikën, vende të ndryshme skandinave, Letoninë, Afrikën e Jugut, Francën, Austrinë dhe vende tjera botërore.

Ndryshe, BANFF Kosovo është festival i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë. Festivali organizohet në BANFF (Alberta) të Kanadasë çdo vit nga 1976.

Kur festivali në Kanada të përfundojë, një përzgjedhje e filmave më të mirë përgatitet për t’u shfaqur në 40 vende të ndryshme, para më shumë se 600 mijë shikuesve në 1200 shfaqje unike filmash në botë. Prishtina është për herë të parë nikoqire e këtij festivali në rajon.