Agjencia për Regjistrim Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sot edhe zyrtarisht ka filluar të ndajë patentë-shoferët ndërkombëtarë.

Ky patentë-shoferë do të ju hyjë në punë qytetarëve në disa shtete, deri në njohjen ndërkombëtare të Patentë-shoferëve sipas konventës ndërkombëtare, për të cilin për ta realizuar Republika e Kosovës duhet të jetë pjesë e OKB-së.

“Ne jemi duke bërë përpjekje individuale me shtet ku e kemi të koncentruar komunitetin tonë, si me Italinë, Gjermaninë dhe Austrinë, për të arritur marrëveshje individuale me këto shtete për njohje të patentë-shoferëve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ju mundësojmë diasporës tonë që të kenë qasje më të leha në këto shtete me dokumente të Kosovës”,tha me këtë rast shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Bekim Hoxha, tha se ndarja e patentë-shoferit ndërkombëtarë është në trendet ARC-së dhe MPB-së në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se prej njoftimit për fillimin e prodhimit të patentë-shoferëve ndërkombëtare, deri më tani rreth 500 qytetarë kanë aplikuar për tu pajisur më këtë dokument.

Në fund Hoxha tha  se në kuadër të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës, nga java e ardhshme do të fillojnë shërbimet për vulat apostile edhe në disa qytete tjera të Kosovës dhe nuk do të jetë e koncentruar vetëm në Prishtinë. /21Media