Kapiteni i ri i FC “Prishtinës”, Lorik Boshnjaku ka folur para ndeshjes së parë për këtë edicion të Superligës së Kosovës kundër Drenicës duke potencuar se ballafaqimi me këtë skuadër nuk do të jetë aspak i lehtë, por që pret një nisje të mbarë të kampionatit.

“Ky kampionat duket më ndryshe dhe më atraktiv se viteve të kaluara, gjithashtu shoh një Prishtinë më të fortë dhe më të mobilizuar në çdo aspekt. Ndeshja me Drenicën si ndeshje e parë e kampionatit e pres të fillojmë me këmbë të mbarë. Por, ballafaqimet me Drenicën nuk janë asnjëherë të lehta. Megjithatë ne jemi të fokusuar maksimalisht që të japim gjithçka nga vetja”.

Tutje, Boshnjaku i ka falënderuar të gjithë për besimin e dhënë.

“Ndërsa, sa i përket shirit të kapitenit, dua të falënderojë të gjithë për besimin e dhënë, pa kursyer askënd. Për mua është privilegj të jem kapiten i ekipit të klubit më të madh në vend. Janë gjashtë vite që jam pjesë e klubit dhe kjo nuk është pak. Tash më e di sa rëndon fanella e ekipit e sidomos ajo e shiritit të kapitenit. E di që e kam mbështetjen e të gjithëve, prandaj me kënaqësi e kam pranuar këtë rol aspak të lehtë dhe shpresoj t’ua shpaguaj besimin”, ka thënë kapiteni i ri i skuadrës, Lorik Boshnjaku.

Ndeshja Prishtina – Drenica zhvillohet sot nga ora 16:00.