Ftesës së kryeministrit Avdullah Hoti, për të diskutuar rreth qasjes së qeverisë në dialogun Kosovë-Serbi, nuk iu përgjigjën Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës. Por pjesë e këtij forumi ishin Nisma dhe Aleanca Kosova e Re, të cilat është e rëndësishme që të ketë konsensus dhe transparencë në temën ne dialogut.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka thënë se forumi i liderëve të partive politike parlamentare është mundësi e mirë për bashkërendim të aktiviteteve në procesin e dialogut me Serbinë.

“Në takimin e parë të këtij formati theksova rëndësinë që ka për vendin krijimi i një konsensusi sa më të gjerë për këtë temë. Në këtë frymë, bëj thirrje që pjesë e këtij forumi të jenë edhe partitë tjera opozitare. Është jetike për vendin që të gjithë të jemi bashkë në këtë proces, pozitë e opozitë. Dy gjëra duhet qartësuar para fillimit të dialogut: kohëzgjatja dhe emërtimi. Procesi i ardhshëm dialogues me Serbinë kudo që zhvillohet duhet ketë emër; dialog për njohje. Si dhe është shumë më rëndësi që dialogu të përshkruhet me transparencë të plotë”, ka shkruar Limaj pas takimit.

Valdrin Lluka nga AKR, pas takimit u tha gazetarëve se aty Avduallah Hoti ka prezantuar pikat me të cilat do të paraqitet në dialogun me Serbinë, e të cilave tha se partia në të cilën ai është pjesë u jep mbështetjen e plotë.

“Ato pika parashohin edhe mos-negocimin territorial të vendit, po ashtu asgjë mos të negociohet çka është antikushtetuese, normalisht të mbrohet vendi si tërësi, dhe kjo për ne është shumë me rëndësi dhe parimisht e shprehëm mbështetjen e plotë si parti, si AKR”, tha ai.

Lluka tha se plani i Hotit parasheh rritje të transparencës në çështjen e dialogut dhe kjo është e rëndësishme për këtë proces. Ai tha se në këtë proces nevojitet unifikim e edhe mbështetja e partive opozitare.

Ftesës së Hotit i është përgjigjur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nuk është deklaruar për media.

Gjithashtu në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e partive parlamentare nga komunitetet pakicë.

Por, dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ftesën e Hotit për këtë takim.

Në Vetëvendosje dje kanë thënë se nuk ka nevojë për ftesa të tilla nga qeveria Hoti, meqë e njëjta sipas tyre nuk ka legjitimitet. Ndërsa PDK e ka konsideruar ftesën e Hotit si jo serioze.

Hoti po fton liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar rreth platformës së qeverisë për dialogun me Serbinë, një javë para se të udhëtojë për në Shtëpinë e Bardhë me ftesë të emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. /kp