Menjëherë pas identifikimit të rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, Forca e Sigurisë së Kosovës ngriti gjendjen e gatishmërisë operacionale në nivelin 2 dhe krijoi Forcën për Detyrë, me qëllim të menaxhimit të aktiviteteve rreth pandemisë. Por, FSK nuk pranoi të përfitojë nga pako e qeverisë e cila ndau nga 300 euro pagesë shtesë për punonjësit e sektorëve esencial të cilët i janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit. Drejtuesit e ushtrisë, thonë se këtë e kanë bërë në shenjë solidariteti.

Arben Ibishi, tetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, shërben tash e 10 vjet në kompaninë e transportit në regjimentin e qëndrueshmërisë.

Gjatë periudhës së pandemisë me Covid-19, ai ka bartur qytetarët e Kosovës nga aeroporti “Adem Jashari” për në qendrat e karantinimit.

“Plot angazhim, jo ditë por ditë dhe natë, kemi shërbyer ditën dhe natën, kur kanë pasur qytetarët nevojë ne kemi shkuar sipas urdhëresave të zinxhirit komandues, jemi afruar të ta dhe i kemi bartë ku kanë pas nevojë ata. …Ka pas qytetarë të ndryshëm, ka pasur të mllefosur për situatën, ka pasur të trembur, ka pas gjithqysh, por me sjelljen që e kemi bërë ndaj tyre, gjithmonë kemi kaluar mirë dhe nuk kemi pasur ndonjë problem”, thotë tetar Arben Ibishi.

Ushtria e Kosovës, me njësitë e specializuara për të realizuar operacione në kuadër të Mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile, sipas zëvendëskomandantit të FSK-së, Enver Cikaqi, vendosi në gatishmëri personelin, pajisjet dhe sistemet për të mbrojtur qytetarët nga përhapja e virusit.

“Pjesëtarët tanë, kanë qenë të motivuar, kanë qenë të gatshëm të shërbejnë dhe të japin kontributin e vet në ndihmë të qytetarëve tanë të cilët kanë qenë qoftë dhe të infektuar, e sidomos ata që kanë ardh nga vendet e ndryshme të Evropës dhe botës të cilët janë kthyer në atdheun tonë. Kemi përdorë ato kapacitete që janë kërkuar me mision për ne, herë pas herë i kemi shtuar kapacitetet tona, njësitë tonë, duke ju përshtatë situatës”, thotë Cikaqi.

Gjatë periudhës së pandemisë, njësitë e Komandës së Logjistikës dhe Policisë Ushtarake të FSK-së, zhvilluan aktivitete transportuese edhe nga të gjitha pikat kufitare për në qendër të karantinimit.

Këto njësi kanë dhënë mbështetje edhe me tenda, kontejner dhe pajisje përcjellëse në qendrat spitalore të Kosovës.

Toger Florent Sadiku, udhëheqës togu në kompaninë e furnizimit të regjimentit të qëndrueshmërisë, thotë se mision kanë që të ofrojnë mbështetje me transport, furnizim dhe mirëmbajtje por gjatë pandemisë kanë shërbyer sipas nevojave.

“Forca për Detyrë që është krijuar ne kemi shërby varësisht prej nevojave, kemi bërë transport të personelit, transport të pajisjeve, montim të tendave, kemi bërë bartjen e qytetarëve edhe të shteteve të tjera për qendrën e azilantëve në Vranidoll, kemi bërë edhe bartjen e disa qetarëve me shtetësi britanike për në Rinas, nuk kemi qenë të kufizuar në aktivitetet që i kemi bërë, por gjithmonë duke qëndruar brenda misionit të FSK-së”, thotë Sadiku.

Gjatë pandemisë, Qeveria e Kosovës vendosi të paguajë 300 euro shtesë për punonjësit e sektorëve esencial të cilët i janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit.

Por, FSK mori vendim që mos t’i pranojë mjetet dhe të njëjtat rekomandoi që të adresohen për nevoja të tjera që ka shteti në luftimin e krizës së shkaktuar nga pandemia.

“Nuk është se pjesëtarët tanë nuk kanë pasur nevojë që të mbështeten në aspektin financiar, secili ka familjet e tyre, secili ka qenë i rrezikuar sidomos ata që kanë qenë drejtpërdrejtë në operacione të ndryshme, por konsideroj se ka qenë një qëndrim, vlerësim ,vendim edhe i komandantit në këtë rast që të kthejmë dhe mos të marrim atë pjesë të pakos fiskale që ka qenë ë adresuar për FSK-në. Kjo krejt ka të bëjë me solidaritetin në një situatë të tillë… Kemi vlerësuar se kjo është gjëja më e mirë që ne mund të ofrojmë në këtë situatë qytetarëve të vendin tonë, taksapaguesve të vendit tonë”, thotë gjeneral Cikaqi.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka vendosur në gatishmëri ekipe mjekësore statike dhe mobile dhe ka mobilizuar Qendrën Mjekësore të FSK-së.

Forca ka mbështetur Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe shtabet emergjente komunale me oficer shtabor.

“Orari jonë ka qenë 24 orë, shtatë ditë në javë, nuk kemi pas orar të caktuar, kurdo që kanë pas nevojë qytetarët, kurdo që kemi pas urdhër me u aktivizu për nevoja të ndryshme jemi aktivizu. Kemi qenë gjithsej 15 pjesëtar dhe kemi qenë të gatshëm 24 orë. Ka pas raste kur jemi aktivizuar në pjesë të ndryshme të ditës dhe gjithë pjesëtarët kanë qenë të gatshëm. Vlen të ceket motivimi i pjesëtarëve që e kanë pasur e që ka rezultuar me një punë shumë të suksesshme”, thotë Sadiku.

E tetar Arben Ibishi është kujdesur edhe që mjetet e transportit të jenë të dezinfektuara.

“Sikurse kemi pasur kujdes për vetën tonë, e kemi pas obligim të kujdesemi edhe për automjetin, qoftë ai autobus, printer apo kombi, që çdo herë kur kemi bërë bartjen e pjesëtarëve dhe jemi kthyer në kazermë, automjeti është dezinfektuar dhe nuk ka guxuar të përdoret dy orë, së paku dy orë, derisa kemi afërsisht të sigurt që ai automjet nuk ka më ndonjë bartje të virusit apo diçka të ngjashme.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur edhe ekipe shtesë në gatishmëri të cilat do të aktivizoheshin në rast nevoje me qellim që të plotësojnë misionin e tyre në shërbim te qytetarëve.

Covid-19 u përhap fare shpejtë pothuajse në tërë botën. Më 13 mars në Kosovë u shënua rasti i parë i infektuar me virusin SARS-COV-19. Prej atëherë, personat e infektuar u izoluan disa në Klinikën Infektive e disa në shtëpitë e tyre. Shteti pezulloi mësimin në shkolla, mbylli çerdhet dhe shumë veprimtari të tjera.

Deri tani në Kosovë, të infektuar me koronavirus janë 2.494 persona, 1.307 janë shëruar dhe 47 kanë humbur jetën./kp