Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur momentum historik marrëveshjen e Uashingtonit me Serbinë dhe ka thënë se kjo ka qartësuar se nuk ka ndarje të Kosovës.

Gashi në seancën e sotme plenare kërkoi të shfrytëzohet kjo për arritjen e marrëveshjes finale me shtetin fqinj.

“Kosova hynë në raport me ndërkombëtaret si palë e barabartë është e sigurt dhe vërtet se rreziku i ashtuquajtur thika mbi harta nuk ka ekzistuar asnjëherë. Nëse ka ekzistuar atëherë është avantazh i zotëri Hoti që e ka eliminuar. Jemi në një momentum historik për vendin dhe këtë duhet të përdorim dhe menaxhojmë për interes të vendit. Për të menaxhuar momentumin historik të vendit ne duhet të jemi bashkëpunues dhe koordinuar edhe me opozitën”, tha ai.

Deputeti tha se kjo marrëveshje ka kthyer pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Marrëveshja e Uashingtoni e ka kthyer pozicionin e Kosovës si një palë vlerësuar dhe argumentin e saj si argument kryesor. Njohja nga Izraeli është shembull se Kosova ka pozicionim të fortë ndërkombëtar…Ujmani është pasuri e Kosovës, përdorimi i përbashkët nuk nënkupton pronësi të përbashkët. Sa i përket mini-shengenin që gjithë spektri politikë e ka kundërshtuar paraqet pikën më kritike të koncensioneve të bëra. Ne do të insistojmë se kjo marrëveshje e tregtisë së lirë të jetë mes shteteve. Kosova të hyjë në këtë zonë si shtet dhe palë e barabartë”, tha ai.