Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka pasur kritika për raportin e qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkohë që sipas tij, kryeministri Albin Kurti po mban fjalime me emocione, “e herë po hap krahët si shqiponjë derisa po flet për këto çështje”.

Gashi ka thënë se në raportin e qeverisë për dialogun nuk ka asnjë vlerësim për marrëveshjet e deritanishme të arritura.

“Përshtypja e përgjithshme që të krijohet kur e lexon këtë raport të kryeministrit, të qeverisë, është që gjitha këto marrëveshje janë të mira. Kushdo që e ka lexuar këtë raport e sheh që raportimi zyrtar i qeverisë është që marrëveshjet janë afirmative për Republikën e Kosovës. Ndërkohë që këtu del dhe mban fjalime herë me emocione, herë duke u përkulur, e herë duke i hapur krahët si shqiponja. Dhe harron se atë shprehjen e famshme që ia patë thënë ish-kryeministrit: Në Kosovë shqiponjë, e në Bruksel pulë”, ka thënë Gashi në Kuvend të Kosovës.

Më tej, ai ka thënë se Kurti nuk po shpalos në kuvend asnjë nga parimet e dialogut para se të mbahet takimi të martën në Bruksel. Veç tjerash, ka shtuar se kryeministri kishte deklaruar se nuk ka biseda me Serbinë pa u ndriçuar fati i të pagjeturve, pa reparacionet e luftës, kërkim falje. Shefi i deputetëve të LDK-së ka thënë se kreu i ekzekutivit nuk po përmend as marrëveshjen e Uashingtonit, ndërkohë që ishte zotuar se do të anulojë ato marrëveshje të arritura.