Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi është shprehur i bindur se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të tyre, duke thënë se javën e ardhshme do të votohet qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas prezantimit të programit qeverisës të mandatarit për kryeministër, Avdullah Hoti te grupi parlamentar i LDK-së, Gashi tha se në 12 muajt e ardhshëm 1 miliard euro do të investohen në ekonomi, ndërsa deri në vjeshtën e këtij viti do të investohen 400 milionë euro.

“Momenti që del vendimi i Gjykatës Kushtetuese unë si shef i grupit parlamentar do të riaktivizoj ftesën për seancë të jashtëzakonshme, kjo nuk do të zgjasë më shumë se 24 orë”, tha ai.

Deputeti i LDK-së në një konferencë për medie tha se prioritet i qeverisë Hoti do të jetë edhe dialogu me Serbinë.

“Njëra prej tri shtyllave kryesore është dialogu, çdo Qeveri e Kosovës e ka për detyrë të përfaqësojë vendin e vet në gjitha institucionet ndërkombëtare. Njëra prej prioriteteve është dialogu”, tha ai.

I pyetur se a është përfshirë në programin qeverisës autostrada e Dukagjinit, Gashi tha se gjitha projektet infrastrukturore janë në plan të dytë këtë vit.

“Projektet madhore infrastrukturore nuk janë prioriteti i parë i kësaj qeverie. Prioriteti i parë është lufta kundër Covid-19, rimëkëmbja ekonomike. Projektet strategjike infrastrukturore do të shihen me mundësinë e financimit të jashtëm”, tha ai.

As në këtë takim mes mandatarit për kryeministër, Avdullah Hoti dhe grupit parlamentar nuk ishte e pranishme kryeparlamentarja Vjosa Osmani.