Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit të mbajtur sot me Komitetin e emergjencave, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve për kujdes maksimal kundër sëmundjes infektive Covid-19, në kohën kur në këtë komunë deri më tash janë konfirmuar 169 raste pozitive.

Ai ka thënë se pavarësisht kësaj, gjendja e përgjithshme është nën kontroll dhe se institucionet shëndetësore janë në kujdestari 24 orësh për menaxhimin më të mirë të mundshëm të shëndetit publik dhe përballjen me pandeminë.

“Institucionet shëndetësore dhe emergjencat civile, po punojnë vazhdimisht në parandalimin e përhapjes së sëmundjes Covid-19. Kërkojmë që qytetarët të shtojnë kujdesin dhe të gjithë ata që kanë simptoma të lehta apo që dyshojnë në infektim me sëmundjen Covid-19, duhet të lajmërohen në institucionet shëndetësore për të hyrë në proces të testimit dhe diagnostikimit si masë”, ka thënë Haziri.

Ai ka apeluar te të gjithë qytetarët për kujdes maksimal, mbajtje të distancës sociale, përdorimin e mjeteve mbrojtëse si doreza dhe maska, dezinfektues vazhdimisht dhe kujdes në higjienë.

Deri më tani Gjilani ka 169 persona pozitivë nga 1449 teste që janë bërë. Prej këtyre të dhënave zyrtare, janë tre të vdekur, 95 të shëruar dhe 71 raste aktive.