Koloneli Azizi e përgëzoi komunën e Gjilanit për reagimin e shpejtë

Koloneli Azizi e përgëzoi komunën e Gjilanit për reagimin e shpejtë

Komuna e Gjilanit është duke e zbatuar pakon e masave të reja që përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit dhe po ashtu janë evituar problemet sa i takon lejeve për qarkullim.

Kështu u bë e ditur nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë një konference për media pas takimit që sot zhvilloi me një delegacion nga niveli qendrori i përbërë nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, me të cilët diskutuan për reagimin e organeve kompetente në për parandalimin e COVID19 në këtë komunë.

Kreu i Gjilanit tha se përkundër që pakoja e re e masave të vendosura nga ministria e Shëndetësisë u ka shkaktuar vështirësi në aspektin e pajisjes me leje të veçanta për qarkullim për kategori të caktuara.

Por, që sipas tij tashmë ata kanë ndërtuar një sistem komunikimi online, i cili i ka zgjidhur edhe këtë problem.

Haziri tha se Gjilani si komunë ka pasur një reagim të shpejt në parandalimin e përhapjes së koronavirusit në këtë komunë, ndonëse janë identifikuar 24 persona të infektuar me këtë virus.

“Kam njoftuar që emergjenca civile dhe sektori i shëndetësisë reagimin e kanë pasur jashtëzakonisht mirë dhe me kohë dhe fal përmbajtjet se lojalitetit të qytetarëve rekomandimet tona janë përmbyllur… sipas vlerësime të marrjes me këtë problem dhe izolimit të këtij problemi, mbikqyrjes në mënyrë që infeksioni të mos shtohet nga burimi në vendet tjera. Gjilani i ka 24, në tri ditët e fundit nuk e kemi asnjë rast, kemi 17 të shëruar plotësisht, ndërsa me rastet tjera pritet të kemi lajme të mira sepse simptomat sepse simptomat i kanë të buta dhe mbikqyrja e mjekëve është jashtëzakonisht e mirë ”, tha ai.

I pari i komunës së Gjilanit tutje gjatë kësaj konference njoftoi se për nxënësit e kësaj komune po zhvillohet mësimi online dhe shumë aktivitete të tjera kulturore transmetimi i të cilave po bëhet në mënyrë elektronike.

Koloneli Izet Azizi nga Policia e Kosovës përgëzoi komunën e Gjilanit për reagimin e shpejtë në situatën e krijuar nga COVID19.

“Atë që e dëgjuam edhe nga kryetari por edhe nga stafi tjetër menaxherial i komunës, këtu funksionon shtabi i emergjencës dhe këta i kanë kryer të gjitha detyrat të cilat parashihen për këto situata dhe jemi shumë të lumtur që Gjilani ka ngritur nivelin aq të lartë të emergjencës dhe iu ka dal në ndihmë dhe vazhdimisht po iu del në ndihmë qytetarëve”, tha ai.

Në Kosovë me COVID-19 pozitiv kanë rezultuar 423 persona, prej tyre të shëruar janë 71, ndërsa 10 persona kanë humburë jetën.