Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve që operojnë në Lumëbardh të Deçanit.

“Një betejë e fituar për Lumëbardhin! Pas padisë që ka ushtruar aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan, Faton Selmanaj ndaj dy hidrocentraleve që po e shkatërrojnë Lumëbardhin e Deçanit dhe po i lënë banorët pa ujë, Gjykata Themelore ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje gjithashtu ka bërë të ditur se “gjykata ka vendosur ta shtyjë ekzekutimin e lejeve dhe licencave që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë i patën dhënë kompanisë “Kelkos Energy” për hidrocentralet”.

“Aktvendimi i sotëm pezullon aktet e kontestuara deri në shqyrtimin e padisë së aktivistit tonë Selmanaj. Përfundimisht, presim që gjykata ta miratojë padinë, duke anuluar lejet dhe licencat që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Organet e paditura dhe palët e interesuara kanë 15 ditë afat të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Një betejë e fituar për Lumbardhin!

Pas padisë që ka ushtruar aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan, Faton…

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Tuesday, 8 December 2020