Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës me delegacionin amerikan dhe emisarin Richard Grenell.

Emisari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell ka deklaruar se marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë do të ndikojë në arritjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti, Grenell tha se qëllimi i vizitës së tyre në Prishtinë është që të shtyjnë përpara zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizim ekonomik. Qytetarëve të Kosovës u janë bërë shumë premtime në të kaluarën, dhe ne përmes kësaj marrëveshje po bëjmë një zotim para jush që është zbatimi i marrëveshjes ajo për çka kemi ardhur. Ajo që ne po bëjmë përmes kësaj marrëveshjeje, dhe të gjithë stafet nga SHBA dhe përmes ambasadës amerikane, është që të shprehim përkushtimin tonë. Ajo që duam ne është përmbushja e marrëveshjes dhe të ecim përpara për një zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik, vendet e punës dhe energjia, do të ndryshojë peizazhin politik të rajonit”, tha Grenell.

Ndërsa, kryeministri Avdullah Hoti tha se prezenca e delegacionit të qeverisë amerikane tregon seriozitetin e administratës Trump për zbatimin e marrëveshjes historike të 4 shtatorit, e cila sipas tij, do të çojë drejt finalizimit të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

“Prezenca e tyre e tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e presidentit Trump dhe administratës së tij për zbatimin e një marrëveshje , qe po cilësohet me të drejtë marrëveshje historike. Kjo marrëveshje do të krijojë mijëra vende të reja pune. Presim në javët e ardhshme ministrat dhe administrata e Trump të lëvizin konkretisht në zbatimin e marrëveshjes”, tha Hoti.