Çaste tragjike po përjetojnë banorët e krahinës se Evias, pas valës se motit të keq të quajtur “Thaleia” e cila po godet Greqinë ditët e fundit.

Si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara, të paktën tre të moshuar 75, 85 dhe 86 vjeç , një 39 vjeçar dhe një foshnje 8 muajshe kanë humbur jetën. Gjithashtu, raportohen edhe dy të humbur.

Grupet e shpëtimit që kanë shkuar në zonë për të ndihmuar banorët raportojnë për katastrofë biblike. Deri në mesditën e së dielës janë regjistruar mbi 3000 shtëpi të përmbytura dhe po evakuohen me ndihmën e helikopterit dhjetëra banorë që ndodhen të izoluar në tarracat e shtëpive, të rrethuara nga uji që ka përmbytur çdo gjë.

Në operacionin e shpëtimit që ende vazhdon për banorët e tjerë në disa fshatra dhe komuna të zonës së Evias dhe Halkidhes marrin pjesë 83 zjarrfikës me 31 mjete, tre barka dhe një helikopter Super Puma.

Kryeministri grek po ndjek me vëmendje situatën dhe informohet për operacionin e grupeve të shpëtimit dhe evakuimin e banorëve.

Sipas raportimeve nga zona një pjesë e madhe e rrugëve dytësore janë të përmbytura, ndërsa në disa komuna është ndërprerë energjia elektrike. /kp