Seanca e sotme, e cila ishte vazhdim i seancës së javës së kaluar është ndërprerë për të vazhduar në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovë. Në mungesë të kuorumit, deputetët nuk miratuan asnjë prej pikave të rendit të ditës, përfshirë rezolutën për të pagjeturit, Projektligjin për votimin e mërgatës në ambasada dhe konsullata, si dhe disa raporte të agjencive shtetërore.

Në seancën e sotme, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se edhe deputeti Adem Hoxha është larguar nga grupi parlamentar 6+ dhe i është bashkangjitur Listës Serbe. Rrjedhimisht grupi parlamentar 6+ shpërbëhet.

“Largohet Adem Hoxha nga grupi parlamentar 6+ dhe i është bashkëngjitur Listës Serbe. Grupi parlamentar nga nesër nuk ekziston më, i humb të drejtat e përfaqësimit në komisione parlamentare përveç komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve. Sa i përket përfaqësimit në komisione, plotësimi do të bëhet nga grupi parlamentar i pozitës, në këtë rast në komision plotësimi do të bëhet nga një deputet i LDK-së”, ka thënë ajo

Deputetët nuk arritën të miratojnë as raportin vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019.

Deputeti i LVV-së, Enver Haliti adresoi kritika për Auditorin e Përgjithshëm, pasi sipas tij, ai ka dhënë një shembull të keq për mënyrë në menaxhimit të fondeve publike.

“Tash rishtazi shfaqet tendenca e auditorit të përgjithshëm që të politizojë këtë institucion dhe të jep një shembull të keq se si duhet të menaxhohet me fondet publike. Për fat të keq me këtë rregullore mund të gjesh organizimin për sistematizimin e këshilltarë, por nuk mund të gjesh organizim për shërbime të auditimit. Kërkesa dhe nevoja që sot të auditohet secili aspektet financiar dhe menaxherial dhe të auditohet secili cent i shpenzuar për shkak të korrupsionit të lartë dhe lajmi i fundit për vjedhje të fondeve publike, auditori i përgjithshëm i shfrytëzon fondet publike për angazhimin e këshilltarëve”, tha ai.

Për dallim prej të parit, deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni shprehu fjalë të mira për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Ka një performim të mirë nga viti në vit, ka rritje të audititmi nga viti në vit për organizata buxhetore. Ka një numër të rritje nga viti për rekomandimet që i jep auditori për organizata të ndryshme buxhetore. Auditori edhe të më tutje të monitoroj zbatimin e rekomandimeve për organizatat buxhetore. Pasi ato janë shumë të rëndësishme për përmirësim të performacnës së institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit”, u shpreh ai.

Mbështetje këtij raporti i dha në emër të PDK-së, edhe deputeti, Sejdi Hoxha.

“PDK-ja kërkon nga të gjitha institucionet Kosovës të rrisin më shumë kujdesim e shpenzimit e parasë publike dhe respektimin e procedurave ligjore gjatë menaxhimit me institucionet publike. Jemi të bindur se një bashkëpunim i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe institucioneve publike numri i të gjeturave do të jetë edhe më i vogël në institucionet publike”, tha ai.

Krahas këtyre, Kuvendi formoi edhe Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.