​Gucati-Prokurorisë: Nuk jam polic të ruajë dokumentet që dalin nga zyra juaj

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se nuk është detyrë e tij që të ruajë dokumentet, të cilat ishin dërguar në zyrat e organizatës e që dyshohej të kenë rrjedhur nga Specialja.
Gucati në seancën e sotme në Hagë ka thënë se ai dhe Nasim Haradinaj nuk kanë bërë shpërndarje të dokumenteve veçse e kanë bërë publike arritjen e tyre në OVL-UÇK nga një person i panjohur.
Derisa u është përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici, në ditën e parë të dëshmisë së tij ,Gucati ka thënë se ai dhe zyrtarët e tjerë të OVL-UÇK nuk janë fajtor për rrjedhjen e dokumenteve.
“Unë dhe zotëri Haradinaj nuk kemi bërë shpërndarje të dokumenteve fare, ne i kemi lënë në organizatën tonë, në tavolinën tonë ku kanë ardhur mediat, ne nuk i kemi thënë asnjë gazetari merri apo lëri, ne nuk ia kemi dhënë asnjë qytetari ato, nuk i kemi shpërndarë dokumentacione të gjykatës askujt”, ka thënë ai.
Ndërsa prokuroja Bolici ka insistuar në pyetjen e saj nëse Gucati kishte deklaruar që do të publikojnë çdo material që arrin në zyrat e organizatës, edhe pas tri konferencave që i kishin mbajtur në shtator 2020.
“Me miliona herë do ta them, nuk jam fajtor për dokumentacionin që ka dalë nga zyrat e juaja dhe sa herë të vinë ato do të bëhen publike, unë nuk jam sigurim që t’i ruaj dokumentacionet e askujt… E thash dhe në këtë temë nuk hy më, nuk jam sigurim i dokumentacioneve tuaja, unë thash sa herë të ketë nevojë unë do të dalë para mediave, nuk jam sigurim i dokumentacionit tuaj. Nëse doni unë mundem të hesht krejt dhe të mos flas hiq”, ka thënë Gucati.
Tutje prokurorja e ka pyetur atë nëse e kanë inkurajuar personin që kishte dërguar dokumentet, të sjell dosje të tjera në organizatë.
“Unë e mbaj mend kur kam dezertuar edhe datën nga ushtria jugosllave më 28 korrik, e nuk po e mbaj mend brenda një viti çka kam thënë, unë t’u përgjigja… Nuk i ruaj dokumentacionet e askujt, kush m’i bie në zyre unë do ta bëj publike sepse nuk do ta lë veten fajtor… Nuk e njoh personin dhe nuk ka shans teorike që unë ta inspiroj dikë që të më sjellë dokumentacione dhe të vij unë në burg, kjo logjika nuk e rrok t’i thuash njeriut më sjell dokumentacione dhe të vij unë në burg, ma trego këtë logjikë, qysh i thua njeriut më sjell letra dhe të shkoj të rri në burg në Gjykatën Speciale të Hagës”, ka thënë Gucati.
Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Gucati ka thënë se ai dhe Nasim Haradinaj vetëm kanë mbrojtur interesin e vendit dhe nuk kanë publikuar apo kërcënuar dëshmitarët që mund të jenë të përmendur në dosjet që ishin dërguar në zyrat e organizatës së veteranëve.
Gucati ka filluar dëshminë e tij pas më shumë se një vit qëndrimi në paraburgim në Hagë. Para pyetjeve të prokurorisë, ai është përgjigjur ne pyetjet e avokatit mbrojtës, Jonathan Elystan Rees.
“Nuk besoj që kam gabuar për arsye që unë nuk kam lexuar deklaratat e asnjë dëshmitari, nuk kam përmend asnjë dëshmitar pavarësisht dy-tre serbëve që janë fytyra publike dhe punojnë në zyrat e Serbisë, ata i kam përmend, kështu që unë besoj që jam plotësisht i pafajshëm unë dhe shokët e mijë, edhe Nasim Haradinaj, jemi të pafajshëm. Ne kemi mbrojtur interesin e bashkëluftëtarëve tonë, interesin e vendit tonë, kombit tonë, kështu që unë prapë po them nuk besoj që jemi të fajshëm në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Gucati ka theksuar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij në organizatë nuk e kanë kërcënuar asnjëherë ndonjë dëshmitar.
“U bëj thirrje nga kjo seancë këtu ku jam, të vinë ata dëshmitarë të thonë se Hysni Gucati, organizata e veteranëve të luftës më ka kërcënuar, u bëj thirrje të gjithë atyre dëshmitarëve që kanë rrejt para Gjykatës Speciale të vinë dhe të thonë në prezencë që Hysni Gucati m’u ka kërcënuar apo Nasim Haradinaj, këtu e ndjej vetën shumë i sigurt dhe shumë i pafajshëm unë dhe shokët e mijë…Nëse një dëshmitar e ndjen veten që Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe shokët e mi kanë nxjerrë një emër dhe një mbiemër të një dëshmitari shqiptar apo një dëshmitari rom, apo një turk apo një boshnjak që jetojnë në Kosovë, u bëj ftesë të lajmërohen në Gjykatën Speciale, unë jam i hapur të ballafaqohem me ta”, ka theksuar Gucati.
Gucati ka përsëritur kundërshtimin për Gjykatën Speciale duke e quajtur atë të njëanshme. Ai ka thënë se Specialja bashkëpunon me kriminelët serbë dhe kjo është arsyeja pse e kundërshtojnë atë.
Para trupit gjykues Gucati ka treguar si kanë rrjedhur ngjarjet e shtatorit 2020, ku në OVL-UÇK në tri ditë të ndryshme kishin arritur dokumente që dyshohet të kenë rrjedhur nga Gjykata Speciale. Gucati ka thënë se një veturë e ka përcjellë atë nga data 16 shtator.
Dëshmia e Gucatit para Dhomave të Specializuara në Hagë pritet të zgjasë dy ditë.
Seancën e sotme në Hagë, Nasim Haradinaj e ka ndjekur përmes video-lidhjes, gjithashtu edhe ekipi mbrojtës i tij në krye me avokatin Toby Cadman. Ky i fundit ka deklaruar se është në gjendje jo të mirë shëndetësore si pasojë e infektimit me koronavirus.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Back to top button