Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur sot në një takim Andreas Patsis, deputet i Parlamentit të Greqisë, të cilin e njoftoi me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe angazhimin e BQK-së për tejkalimin sa më të lehtë të situatës nga ndikimi i pandemisë me koronavirus.

Në takim është diskutuar për masat e ndërmarra nga BQK-ja për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, në tejkalimin e gjendjes së krijuar, si dhe veprimet për të mbajtur sektorin financiar stabil dhe likuid.

Guvernatori Mehmeti shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me institucionet financiare në Greqi, me qëllim të nxitjes së sektorit financiar nga ky vend për të investuar në Kosovë.

Ndërsa, deputeti Patsis shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin mes Greqisë dhe Kosovës në sektorin financiar.