Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese do t’i jap mundësi edhe partive te tjera për krijimin e qeverisë.

Haradinaj nga Peja tha se nëse Gjykata vendos që vetëm partia e parë duhet të bëjë qeveri do të ishte një situatë ku çdo herë pas zgjedhjeve do të shkohet prapë në zgjedhje.

“Besoj që do t’i jap mundësi edhe partive të tjera për krijimin e qeverisë Gjykata Kushtetuese edhe për faktin sepse do të ishim në një situatë të zënë peng përjetësisht nëse Gjykata vendos që vetëm i pari bënë qeveri. Atëherë çdo herë pas zgjedhjeve do të rrezikonim me shkua prapë në zgjedhje. Është një praktikë që shumë vende, shumë demokraci perëndimore e kanë shmangur, nuk e kanë zënë vetën peng që vetëm i pari të krijojë qeveri, po pas zgjedhjeve iu kanë lënë forcave politike me krijua një shumice”, tha ai.

Megjithatë, Haradinaj tha se do të pranojnë çfarëdo vendimi që do të merr Gjykata Kushtetuese. Por që tha se nuk është mirë që Kosova të humbë shumë kohë.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër pos me e respektua vendimin e Gjykatës. Kam thënë që në të kaluarën ka pasur vendime që nuk na kanë pëlqyer, po i respektojmë. Është më rëndësi që Kosova mos me humb shumë kohë, sidomos për shkak të një gjendje të rëndë në ekonominë e vendit, por po ashtu edhe aspekte të tjera të jetës, pra na obligojnë me lëvizë përpara. Nëse Gjykata e vlerëson që e drejta me krijua qeveri i takon edhe partisë së dytë, duke e pasur parasysh faktin se partia e parë ka krijuar qeveri një herë, pastaj e ka pasur mundësinë së dyti herë, atëherë Kosova nuk duhet me humbë kohë menjëherë duhet të fillojë me punë për shkak se ka shumë pritje direkte nga qeveria për cështje të ekonomisë e cështje tjera të vendit”, tha ai.

Pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, presidenti i vendit ka mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të ri të vendit. Pas ankesës së LVV-së Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar dekretin deri më 29 maj.