Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk është e fokusuar në temat jetike për qytetarët por është qeveri e fokusuar në veprime spektakolare e mediatike.

Në 100 ditëshin e qeverisë Kurti, qe tani është në detyrë, Haradinaj ka thënë se Kurti ka mashtruar përkrahësit e Vetëvendosjes.

Haradinaj ka thënë për KP se qeverinë Kurti e kanë përcjellë anomali të mëdha.

“Ka pas shumë shpresë që do të ndodh një ndryshim në Kosovë, që do të kemi një qeveri që do të fokusohet në temat jetike për qytetarët, që do të përmirësojë ose do të ketë punën e dedikuar në përgjithësi për ato qe janë shqetësime të njerëzve. Është parë që ka qenë një qeveri kryesisht e fokusuar në disa veprime spektakolare, mediatike, por jo të veprimet. Unë nuk besoj që kjo qeveri e urren Rahovecin, por është e pakuptimtë me ditë që bën me rrit deve ne në Kosovë, ose me prodhua aeroplanë e nuk e di qe duhet me ua gjet një zgjidhje për treg bazuar në udhëzimet e IKShP-së. Janë disa anomali të mëdha që e kanë përcjellë fillimin e kësaj qeverie edhe pse kohë e shkurtë por janë disa anomali të mëdha”, tha Haradinaj.

Ish-shefi i ekzekutivit që dha dorëheqjen verën e vitit 2019, ka thënë se Kosova ka buxhet të mjaftueshëm për një pako ekonomike kredibile në këtë kohë pandemie.

“Ju e dini si janë munduar me mashtrua qytetarin, unë e kam quajtur zotin Kurti mashtrues për shkak se ai Vetëvendosjes dhe ushtrisë së vet në facebook e ka mashtrua duke i thënë se Haradinaj ka shpenzuar rezervën. Ekziston rezerva e shtetit, është 300 e sa milionë, atë as Kurti nuk mund ta harxhojë as unë as askush, por në kohë të qeverisjes Haradinaj ajo është rrite, rezerva shtetërore. Ndërsa quhen shpenzime rezerve, ato planifikohen brenda një viti, psh qeveria Kurti ka paraparë më shumë se unë, 9 milionë, ne e kemi pas 6 dhe ato je i detyruar me i investu si buxhet çdo muaj në bazë te kuotes qe parashihet për atë muaj. Ka buxhet Kosova për një pako ekonomike më kredibile që kish mujt me e rinisë ekonominë”, tha Haradinaj.