Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tërhequr vëmendjen se të gjitha energjitë tashmë duhet të fokusohen në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Nga Malisheva ku qëndroi për vizitë sot, Haradinaj tha se paralizimi i ekonomisë që ka ndodhur gjatë muajve të fundit për shkak të COVID-19 është shumë i vështirë për vendin.

Për këtë, ai tha se duhet që të bëhet një analizë e detajuar e gjendjes dhe humbjeve që kanë ndodhur në të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Mendoj që sfida jonë e gjithë në Kosovë këtu në Malishevë dhe nivel vendi është rimëkëmbja ekonomik, rikthimi ekonomisë, nuk guxojmë të humbasim shumë kohë e ditë, për shembull Serbia e ka hapur ekonominë e vet që dy javë,. Maqedonia e Veriut nuk e ka ndalur fare, edhe pse e ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, plot sektorë ekonomikë kanë vazhduar, ne kemi humbur shumë kohë, kemi paralizuar plot sektorë të ekonomisë dhe kjo është bukur e vështirë për Kosovën, është me rëndësi që të gjithë t’i kushtohemi rikthimit të ekonomisë. Duhet të behët një incizim i gjendjes, i humbjeve, sa janë humbjet në ekonomi veç e veç të gjitha te sipërmarrësit në Malishevë, dhe pastaj çfarë mund të bëhet pastaj qeveria nacionale me ju përgjigj këtyre humbjeve, të rifillojë ekonominë”, deklaroi Haradinaj.

Mesditën e sotme, kreu i AAK-së qëndroi në degën e partisë së tij në Malishevë e cila shënoi 20-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, Haradinaj ndau mirënjohje për themeluesit e kësaj dege.

Kryetari i AAK-së në Malishevë, Fatmir Shurdhaj, falënderoi Haradinajn për vizitën ndërsa u shpreh se partia e tij është duke kontribuar që Malisheva të kalojë këtë gjendje si dhe të ndërmerren politika më të favorshme për qytetarët nga pushteti komunal.

“Ne si degë e AAK-së jemi rritur vitin e kaluar për shkak se i janë bashkuar disa subjekte politike dhe një grup i madh i intelektualëve dhe profesorëve në Malishevë kështu që performanca e AAK-së në Kuvendin Komunal, në Asamble i kemi 3 asamblistë dhe shefin e grupit. Zëri ynë me programin tonë në bashkëpunim me opozitën është i fuqishëm në Asamblenë komunale në Malishevë. Ne po kërkojmë nga Aleanca, selia qendrore në Prishtinë dhe aktivistët, të na përkrahin, të na mendojnë që zëri i AAK-së në Malishevë me programin politik si parti e djathtë të ketë një performancë në interes të qytetarëve të Malishevës për të krijuar politika publike më të favorshme në këto rrethana”, deklaroi Shurdhaj.