Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Izraelit Gabriel Ashkenazi, me të cilin është dakorduar për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media, ku Haradinaj-Stublla ka treguar se gjatë kësaj bisede është diskutuar për rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovës dhe Izraelit

‘’Zhvilluam diskutime mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovës dhe Izraelit dhe ndikimin e madh që ka kjo marrëdhënie për të dy vendet tona, e ndërtuar mbi bazat e miqësisë së jashtëzakonshme midis popujve tanë paqedashës. E sigurova homologun tim izraelit se Kosova është e përkushtuar me kapacitet të plotë për të ndërtuar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke nderuar gjithashtu mikun dhe aleatin tonë të madh të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës’’, ka thënë ndër tjera Haradinaj-Stublla.

Gjithashtu Haradinaj-Stublla ka shkruar se ‘’i konfirmova Z. Ashkenazi edhe qëllimin tonë për të hapur Ambasadën në Jeruzalem. Pranova ftesën e Z. Ashkenazi për të vizituar Izraelin, dhe së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje’’.