Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, gjatë takimit të sotëm me emisarin special evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, shprehu qëndrimin unik të Kosovës për gatishmërinë e arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, në koordinim me SHBA dhe ndihmën e BE-së.

Ajo me këtë rast tha se Kosova, historikisht dhe gjeografikisht, i përket Evropës dhe është e vendosur që të zë vendin e vet të merituar në strukturat e Bashkimit Evropian.

Haradinaj shprehu indinjatën e qytetarëve të Kosovës me padrejtësinë dhe vonesat e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, të drejtë të cilën shteti i Kosovës e ka fituar me përmbushjen e të gjitha kritereve.

Gjithashtu, Haradinaj – Stublla shprehu nevojën që edhe BE-ja të shtyjë përpara njohjen edhe nga pesë vendet anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.