Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet politike dhe dialogun për marrëveshje finale me Serbinë.

Haradinaj-Stublla me këtë rast theksoi nevojën për vizion strategjik nga BE-ja për të vazhduar momentumin e krijuar në Uashington me marrëveshjen e normalizimit ekonomik, si dhe për të përmbyllur dialogun me Serbinë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Duke u ndalur te kjo temë, kryediplomatja tha se koha e kompromiseve të Kosovës ka mbaruar.

Tani është radha e Serbisë të dëshmojë përkushtim serioz nëse e dëshiron ecjen përpara drejt Bashkimit Evropian – rrugë e cila kalon nëpër Kosovë”, tha Haradinaj-Stublla.

Në rrafshin bilateral, shefja e diplomacisë së Kosovës dhe ambasadori i Austrisë u zotuan të forcojnë bashkëpunimin ekonomik përmes mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve austriake në Kosovë, thuhet në komunikatë.