Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në SHBA, është takuar sot në Uashington me James Carafano, zëvendës presidentin e “Heritage Foundation”, një prej institucioneve më prestigjioze për politikat demokratike e shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimet politike në rajon, veçanërisht për dinamikat rreth dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin ministrja Haradinaj-Stublla tha se ky proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Duke shprehur falënderime të përzemërta këtij fondacioni për qëndrimin që ka mbajtur ndaj pavarësisë së Kosovës dhe proceseve në vijim në forcim të subjektivitetit ndërkombëtar, Haradinaj-Stublla kujtoi edhe mbështetjen e dhënë për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Shpreha falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme që ‘Heritage Foundation’ ka dhënë në avancimin e prioriteteve politike të Kosovës dhe posaçërisht në mbështetjen e dhënë në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri”, tha Haradinaj Stublla./21Media