Çështja e të pagjeturve është dhimbje e madhe, jo vetëm për familjarët, por për të gjithë ne, andaj të gjitha institucionet tona duhet të bëjnë më shumë trysni ndaj bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që Serbia të tregojë për vendndodhjen e tyre.

Kështu u tha sot në Krushë të Vogël, me rastin e Ditës ndërkombëtare të të pagjeturve. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se në këtë ditë përkujtojnë 68 personat e zhdukur dhe të gjithë personat e rënë në një ndër masakrat më të mëdha që ndodhën në Kosovë. Ai tha se fati i të pagjeturve vazhdon të mbetet një dhimbje e madhe për të gjithë ne.

Haskuka tutje tha se komuna, tash pas 21 vjetëve ka filluar projektin për rregullimin e varrezave si dhe memorialin në vendin ku është kryer masakra e tmerrshme ndaj shqiptarëve.

Tani, pas 21 vjetësh, kemi filluar projektin për rregullimin e varrezave të martirëve dhe të pagjeturve, në të njëjtën kohë edhe memorialin për vendin ku është kryer masakra, dhe shpresoj punimet të fillojnë sa më shpejt dhe të rregullohet vendi ku janë varrosur martirët”, tha ai.

Ndërsa shefi i Zyrës për persona të pagjetur, Kushtrim Gara, tha se bashkërisht duhet të bëjmë përpjekje që familjarët të mësojnë sa më shpejt për fatin e me të dashurve të tyre.

Gara theksoi se si komision do të vazhdohet me angazhim edhe përkundër pandemisë me COVID-19, por edhe me vështirësitë për mungesë të informacioneve, por edhe mungesa e bashkëpunimit me institucionet e Serbisë.

Ndërsa, Agron Limani u shpreh se ende nuk ka ndonjë informatë se çfarë ka ndodhur me fatin e personave që ende figurojnë të pagjetur.

Ne kemi një problem për faktin se viteve të fundit ne ende nuk kemi ndonjë informacion se çka është ka ndodhur me fatin e këtyre që ende figurojnë si persona të zhdukur. Për fat të mirë, vitin e kaluar, organet tona të drejtësisë kanë miratuar ligjin që të bëhet gjykimi i atyre që ka prova dhe gjykimi i tyre mund të bëhet edhe në mungesë”, u shpreh ai.

Limani theksoi se Krusha e Vogël i njeh personat e involvuar në masakrën e këtij fshati, e të cilët janë kryesisht serbë lokalë. Ai shpreson që prokuroria speciale do të rinisë gjykimet në mungesë të atyre të cilët janë përgjegjës për krime lufte.

21 vjet më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës gjatë kohës së luftës është njëra ndër më të mëdha që janë kryer mbi popullsinë e pafajshme shqiptare nga paramilitarët, policia dhe ushtria serbe në Kosovë.