Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu bëri sot thirrje që sa më shpejt të merren masa sa i përket Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për çka sipas saj nga kaosi brenda këtij institucioni arsimor po pësojnë studentët.

Haxhiu gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës tha se Qeveria do ta ketë përkrahjen e AAK-së kur është nevoja, por edhe do të jetë kritikuese.

Sipas saj, për shkak të kundërthënieve të anëtarëve të KSHC-së përbrenda saj, janë duke e pësuar më së shumti studentët bursistë në institucione prestigjioze të arsimit.

“Unë nuk dua të hyj në pjesën se çfarë ka ndodhur aty, dhe që rasti është në organet e hetuesisë, në polici, në prokurori, por shqetësim imi janë institucionet të cilat presin të akreditohen programet dhe mbi të gjitha studentët të cilët po pësojnë. Janë studentët që më kanë shkruar, e që kanë aplikuar në institucione prestigjioze për master apo doktoratë, të cilët kanë fituar bursa dhe është dashur të kthehen prapa pasi diplomat e marra në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, nuk iu kanë vlejtur. E, për çka? Për shkak se akreditohen programet dhe studentët ndodh që fillojnë vitin akademik para se të akreditohen programet”, tha ajo.

Deputetja e AAK-së i bëri thirrje ministrit të ri të Arsimit, Ramë Likaj, që të ndërmarrë masa ndaj kësaj situate.

“Kjo nuk është ndërhyrje politike, është kuvendi që i ka zgjedhur ata anëtarë, por me shqetëson fakti që me atë institucion, brenda anëtarëve aq kundërthënie ka që institucionet po presin dhe 240 programe po presin për akreditim”, shtoi Haxhiu.