Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë bashkë sot kryetarët e komunave të rajonit të Anamoravës në takim me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, me të cilën ka diskutuar për zhbllokimin e projekteve të mëdha komunitare.

Haziri me këtë rast ka falënderuar ministren për dëgjimin buxhetor të komunave të Anamoravës, në mënyrë që të jenë të përgatitur që buxheti 2021 të dalë sa më mirë për këto komuna.

Bajrami ka konfirmuar se do t’ju qëndrojë afër komunave me të gjitha kapacitetet në zhvillimin e projekteve edhe në kohë pandemie.

Unë e pata rastin të dëgjojë shumë sfida buxhetore, me të cilat përballen komunat, sidomos ato që kanë numër më të vogël të banorëve. Jemi në kohë pandemie dhe kriza e ka pasur efektin e vet dhe jemi përballuar me rënie të të hyrave, ku në disa raste kemi pasur një ulje të buxhetit për projektet kapitale. Ne jemi në një plotësim të ligjit për financat e pushtetit lokal”, ka thënë Bajrami.

Në takim u bisedua edhe rreth implementimit të projekteve regjionale, sidomos ato që janë të financuara dhe implementuara nga partnerët ndërkombëtarë.

Ministrja u zotua se do të ndërmarrin hapa konkretë për të zhbllokuar këto projekte dhe për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, qoftë për furnizim me ujë të pijshëm dhe ujërat e zeza.

Në këtë takim, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, kryetari i Kllokotit, Bozidar Dejanoviç, kryetari i Ranillugut, Vladica Aritonoviq, përfaqësuesi i Komunës së Novobërdes dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë per Zhvillim Rajonal Lindje, Agim Zeka.

Kryetarët e komunave të Anamoravës, gjatë adresimit para gazetarëve, kanë thënë se janë modeli më i mirë i funksionimit dhe i bashkëpunimit, në të mirë të të gjithë qytetarëve të kësaj ane.