Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po e mohon se kjo parti po përjeton krizë pas humbjes në komunën e Podujevës. Madje, po zotohen se pa këtë parti nuk ka as zgjidhje as zgjedhje, pavarësisht se po kalojnë ditë të vështira.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri deklaroi se gara në komunën e Podujevës nuk duhet të shihet as si suksesi i dekadës, e as si humbja e dekadës. Ai ka thënë se humbja në Podujevë, dhe fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje u ka nxjerr mësim që të bëhen më të fortë, ani pse mohoi se partia e tyre po kalon në kriza.

“Nuk ka të bëjë me kriza, ka të bëjë me lëvizje. LDK do të ecë pa u ndalë sepse është parti pa të cilën nuk ka as zgjidhje as zgjedhje. Duke qenë themelues, ndërtues të kësaj ëndrre të cilën e quajtëm sot, e që është shteti, republika e Kosovës, është kompromis i dhembshëm i kohës për të zgjedhur drejtat e shqiptarëve në ballkan. Ne me kohë kemi ditur të ecim prapa tij. Prapa Ibrahim Rugovës edhe si lider edhe si filozofi politike. E sot asaj dite i kemi dhimbjet tona në procese, po kalojmë dita të vështira nganjëherë, kjo na nxjerr mësim na nxjerr më të fortë. Fundi, një garë politike në komunë, nuk duhet të merret as si suksesi i dekadës, as si humbja e dekadës”, deklaroi ai.

Veç tjerash, u zotua se pa partinë e tyre nuk do të ketë zgjidhje e as zgjedhje. Ndërkohë, që gjatë homazheve bashkë me kryeministrin Hoti dhe kryesinë e LDK-së, ai u pyet se sa po vazhdohet filozofia e ish-presidentit Rugova.

“Ne nuk jemi fanatikë politikë, as nuk jemi militantë politikë çfarë kemi parë te disa parti politike. Për shembull rugovizëm është kur një sukses i madh apo i vogël, para njerëzve të bën më të përgjegjshëm dhe jo më kryelartë dhe më arrogantë se si e shohim te partitë tjera. Kjo është njëra prej vlerave që na i ka lënë. Që të bëhemi të sjellshëm, të përgjegjshëm karshi përgjegjësive dhe sukseseve dhe mos-sukseseve kur i kemi”, ka shtuar Haziri.

Ai ka thënë se sot të gjallëve u mbetet që të zhvillojnë demokracinë, sepse sipas tij është shtyllë për Ibrahim Rugovën.

“Si çdo përvjetor tjetër edhe sot kryesia e LDK-së, strukturat e saj edhe familja politike e tij, bën nderime, respekt dhe mbi të gjitha dita e falënderimit për njeriun i cili shkaktoi procese dhe realizoi ëndrra. Dhe njeriu i cili në kohë më të vështira doli në lider, i cili ndryshoi jo vetëm politikat, por ndryshoi edhe mënyrën se si realizohen ëndrrat për liri, për të qenë i pavarur dhe për të qenë sovran. Ne të gjallëve sot na ka mbetur që të realizojmë atë qëllim që të bëjmë lirinë e plot për të gjithë. Që të shtrijmë pavarësinë tonë në territorin e Kosovës, dhe ta bëjmë njëjtë për të gjithë njerëzit e saj”, ka thënë Haziri.

Sot është ditëlindja 76-të e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Ndërsa vdiq më 21 janar të vitit 2006./21Media