Pas rasteve të reja me COVID-19 në komunën e Gjilanit, Komiteti i kësaj komune për parandalimin e përhapjes së virusit ka mbajtur mbledhje nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, për vlerësimin e situatës.

Haziri ka bërë të ditur se 2 pacientë të cilët po trajtoheshin në Spitalin e Përgjithshëm, kanë humbur betejën me COVID-19 brenda 14 orëve, derisa tha se nga 17 rastet e paraqitura nga IKSHP, dy janë ritestime, e jo raste të reja pozitive.

“Ngushëllime për familjarët për humbjen e më të dashurve dhe do ta kenë solidaritetin tonë. 682 të infektuar janë në total, prej tyre 468 të shëruar, 186 raste janë aktive, 28 e kanë humbur betejën me COVID, 32 të hospitalizuar dhe për 27 mostra po i presim rezultatet nga IKSHP”, ka thënë Haziri në konferencën për gazetarë.

Haziri njoftoi se kanë diskutuar çështjen e varrimeve të personave që ndërrojnë jetë nga COVID-19, duke kërkuar nga Qeveria që ta zgjidhë këtë problem sipas protokollit shtetëror.

Kreu i Gjilanit ka theksuar se brenda pesë muajve ka funksionuar jashtëzakonisht mirë trekëndëshi i bashkëpunimit mes emergjencave civile, profesionistëve shëndetësorë dhe organeve të sigurisë, derisa ka thënë është e paqartë ndalesa e pesë zyrtarëve komunalë, derisa po e kryenin punën së bashku me Policinë e Kosovës.

“Por kjo çështje fatmirësisht është zgjidhur dhe besojmë në funksionimin e këtij trekëndëshi të partneritetit, në ruajtjen e shëndetit publik. Ky partneritet edhe më tutje mendoj se nuk mund të dëmtohet njëanshëm”, ka thënë Haziri.

Ai ka kërkuar që lojaliteti dhe solidariteti qytetar të rritet në mënyrë që të evitohen masat shtrënguese dhe represive, të cilët mund të vijnë në shprehje nëse nuk zbatohen masat anti-COVID-19.

“Ju ftoj që të dilni në rrugë e në punë me masa mbrojtëse anti-COVID-19. Virusi nuk ka krahë me fluturu, nuk i shkon askujt në shtëpi dhe as nuk i del përpara kërkujt. Por nëse nuk je i kujdeshëm, mund të infektohesh”, ka përfunduar kreu i Gjilanit./21Media