Ndërmarrja Publike “Higjiena” në Deçan është bërë me objekt të ri, një investim ky i vlerësuar si i domosdoshëm për të ruajtjen e një ambienti të pastër dhe ekologjik në këtë komunë.

Në ceremoninë e inaugurimit, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se kanë arritur të shtrijnë shërbimet për mbledhjen e mbeturinave në tërë komunën, ndërkohë që kanë rregulluar infrastrukturën përcjellëse me pajisje adekuate të ndërmarrjes “Higjiena”.

“E kemi shtrirë shërbimin të ndërmarrjes komunale Higjiena në tërë territorin administrativ të komunës së Deçanit. Kemi kontratë me çdo ekonomi familjare dhe biznes për të cilët i falënderoj që janë bashkëpunëtorë tonë dhe pagesat që ia bëjnë kësaj ndërmarrje. Ndërkohë kemi bërë edhe një punë të madhe me infrastrukturën dhe pajisjet e kësaj ndërmarrjeje. Kemi shtuar edhe numrin e punëtorëve dhe mendojmë të vazhdojmë me këtë proces”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i ndërmarrjes “Higjiena” Kastriot Hulaj, tha se objekti i ri është i standardeve të larta evropiane.

“Tani gjendemi në objektin e ri të ndërmarrjes, i cili nuk i plotëson kushtet në tërësi, por në vitin 2021 komuna bashkë me qeverinë kanë planifikuar të ndërtojnë edhe një objekt tjetër, meqë rast ky objekt do të jetë vetëm për operim të operativës. Këtu do të punojë vetëm operativa, ndërsa administrata të kalojë në objektin tjetër. Kosto është afër 280 mijë euro, e cila siç po e shihni është me standarde të larta evropiane. Për shkak të pandemisë kemi pasur disa mungesa në operativë, por asnjëherë qytetarët nuk i kemi lënë pa shërbim”, tha Hulaj.

Pjesë e ceremonisë në prerjen e shiritin ishin edhe përfaqësues nga Qeveria e Kosovës.