Kryeministri Avdullah Hoti është pritur në takim nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me të cilin ka biseduar për liberalizimin e vizave dhe mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Hoti ka njoftuar kardinalin Parolin me rrjedhën e procesit të dialogut me Serbinë dhe me të drejtat të cilat i gëzojnë serbët e Kosovës në të gjitha nivelet.

Ai ka kërkuar që BE-ja ta trajtojë Kosovën si të barabartë në mesin e të barabartëve, gjë që do përbënte një kthesë pozitive në dobi të stabilitetit të qëndrueshëm, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë të rajonit.

Në takim është biseduar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të komunikimit përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, që do të rezultonte me njohje të vlefshme të sistemit të vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve.