Kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se Kosova është listuar në mesin e shteteve që 20 për qind të vaksinës antiCOVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vetë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj sot ka nënshkruar aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës antiCOVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, gjersa aplikimi për asistencë teknike për këto vaksina është bërë ditë më parë përmes ekipit të ekspertëve.

Hoti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të respektojnë me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së dhe masat kundër COVID-19.

“Ky është kontributi më i madh që mund të japim për veten, familjen dhe mbarë shoqërinë. Prandaj, mbajeni maskën, respektojeni distancën dhe kujdesuni për higjienën personale”, ka porositur Hoti.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës informoi se gjatë 24 orëve të fundit vdiqën 14 persona, të cilët ishin të prekur me Covid-19, u konfirmuan edhe 519 raste të reja, ndërsa u shëruan edhe 926 persona nga Covid-19./21Media