Këngëtari Ismet Peja është ndarë nga jeta. E për të nderuar veprën e tij, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është vendosur baneri me fotografinë e Ismet Pejës dhe janë lëshuar këngë të tij.

Derisa në sfond dëgjohej muzika e Ismet Pejës, para MKRS-së u bëri homazhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi.

Hoti tha se Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij qytetaret dhe se këngët e tij u dëgjuan në gjitha trojet shqiptare, derisa ka theksuar se do ta kujtojnë përherë.

“Bëmë nderime tek ikona e muzikës shqiptare i cili do të mbahen mend për këngët e tij qytetare. Nuk ka shqiptarë jo vetëm në Kosovë, por në gjitha trojet shqiptare. Ky ka hy në historinë artistike të Kosovës. ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij dhe sot vërtetë është ditë e dhimbshme për familjen e tij, për komunitetin artistik por ne do ta kujtojmë gjithmonë me këto këngë që po dëgjoni në sfond”, tha Hoti.

Vdekjen e Ismet Pejës lajm të trishtë e ka quajtur ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi.

“Në mëngjes ishte një lajm mjaft i trishtë për ikjen nga kjo botë e dohaemit të madh të muzikës popullore zotit Ismet Peja. Ne si MKRS dhe si ministre kam kontaktuar familjen e tij, djalin Visarin ku i kam shprehur ngushëllime dhe e kanë gjithmonë mbështetjen tonë”, u shpreh Dumoshi.

Ismet Peja do të varroset sot në ora 15:00. E Dumoshi ka treguar se për ceremoninë e varrimit do të kujdesen MKRS-së. Ajo tha se edhe pse është kohë pandemie, megjithatë janë marrë vesh me kryeministrin që njerëz sikurse Peja të nderohen për kontributin e dhënë.

“Ne do të kujdesimi për ceremoninë në Gjakovë ku në ora 14:30 do të jenë homazhet tek varrezat dhe në ora 15:00 do të jetë varrim. Edhe pse jemi në kohë pandemie jemi munduar bashkë me kryeministrin që këta njerëz të mëdhenj që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për kultivimin e këngës sonë burimore kulturore t’i respektojmë edhe në këtë kohë pa kohë të pandemisë”, tha ajo.