Kryeministri Avdullah Hoti, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv i Milenium Challenge Corporation (MCC), të cilin e ka falënderuar për zhbllokimin e fondeve dhe ndihmën e vazhdueshme për Kosovën në rritjen e zhvillimit ekonomik përmes programeve të ndryshme.

Hoti ka vlerësuar se është lajm i mirë për Kosovën zhbllokimi i fondeve nga Millennium Challenge Corporation (MCC), duke thënë se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rëndësisë jetike për Kosovën.

Tutje kryeministri tha se Qeveria është duke punuar me përkushtim për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, menaxhimin efikas të pandemisë COVID-19, si dhe për krijimin e një klime të favorshme për bizneset në Kosovë.

Ndërsa, Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv i MCC, ka vlerësuar hapat e ndërmarrë nga Qeveria Hoti, të cilët kanë mundësuar zhbllokimin e fondeve për Kosovën.

MCC kishte bllokuar investimet e saja në Kosovë pas refuzimit të Qeverisë Kurti për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.

Qeveria amerikane ka riaktivizuar më 6 qershor programin e MCC-së, pas vendimit të Qeverisë së re Hoti për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.