I mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka zhvilluar sot një video konferencë me shefin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Gabriel Di Bella dhe Stephanie Eble, përfaqësuese e përhershme të FMN-së për Ballkanin Perëndimor. Këta të fundit kanë sqaruar mënyrat e mbështetjes që FMN-ja, do ta ofrojë për Kosovën përfshirë edhe gjithë rajonin.

Sipas një komunikate të LDK-së, Hoti dhe përfaqësuesit e FMN diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht për efektet e pandemisë COVID-19 në ekonomi.

Me këtë rast, Hoti sqaroi për ta idetë e tij për rimëkëmbjen e ekonomisë pas tronditjes ekonomike të krijuar nga pandemia, ndërsa përfaqësuesit e FMN-së sqaruan mënyrat e mbështetjes që FMN-ja do ta ofrojë për Kosovën përfshirë edhe gjithë rajonin.

“Hoti dhe Di Bella ranë dakord se politikat për të rimëkëmbur ekonominë duhet të kenë një mbështetje të gjerë, të jenë të synuara mirë dhe të jenë konsistente në ruajtjen e stabilitetit makro-financiar. Ata më tej ranë dakord për nevojën për të kufizuar rreziqet fiskale. Hoti dhe përfaqësuesit e FMN u pajtuan se shkëmbimin e ideve të tilla konstruktive dhe të hapura janë më se të duhura në këtë kohë, si dhe u zotuan për vazhdimin e këtij dialogu”, thuhet në komunikatë