Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në 30 vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, ka thënë se ky shtet është një ndër partnerët tanë të pazëvendësueshëm.

“Më 1989, me hapjen e kufirit gjermano – gjerman, shumë njerëz nga Lindja kaluan në Perëndim për të shijuar lirinë. Me këtë akt, ata i thyen edhe barrierat ideologjike e politike për t’i dhënë Gjermanisë një kahje perëndimore dhe për të dhënë kontribut qenësorë në formësimin e Evropës së sotme. Gjermania është një ndër partnerët tanë të pazëvendësueshëm, të cilës i jemi jashtëzakonisht mirënjohës dhe pafundësisht falënderues për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Hoti në “Facebook” duke uruar ditën e Unitetit Gjerman.

Më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt. Gjermania vuajti ndarjen e saj në dy pjesë, njëra pjesë u kontrollua nga aleanca perëndimore e udhëhequr nga SHBA-të dhe pjesa lindore e Gjermanisë u pushtua nga trupat ruse./21Media