Në vazhdën e vizitave të sotme në Rahovec, kryeministri Avdulllah Hoti ka qëndruar në verarinë “Bodrum i Vjetër”.

Nga aty, kreu i qeverisë premtoi mbështetje sektorit të vreshtave për prodhimtarinë dhe përpunimin e verës.

“Ne po mundohemi të bëjmë maksimumin, besoj në mandatin e ministrit Mustafa bujqësia përfshirë vreshtarinë dhe prodhimtarinë e verës e ka marrë mbështetjen më të madhe ndonjëherë, historikisht që e ka marrë. Ka marrë edhe mbështetje edhe nga partnerët ndërkombëtarë me grante të BE-së dhe të tjera duke qenë sa ka certifikime ndërkombëtare të prodhimeve të tyre”, tha ai.

Pjesë e kësaj vizite ishte edhe ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, i cili tha përkundër pandemisë, ekzekutivi i ka ndihmuar këtij sektori gjatë këtij viti.

“Falë koordinimit dhe punës së përbashkët që kemi bërë edhe me shoqatën e prodhuesve dhe përpunuesve që rezulton me pagesa të dyfishta të subvencioneve edhe për vreshtarët edhe për vrerëtarët, besoj se kemi arritur t’i ndihmojmë këtij sektori”, tha Mustafa.

Ndërsa pronari i verarisë “Bodrum i Vjetër”, Ruzhdi Haxhijaha tha se prodhimtaria e verërave është një industri i cili ka bilanc pozitiv tregtar në vendin tonë.

“Kjo është një veprimtari dhe industri që lidh shumë zinxhirë të gjerë, nga bujqit deri tek produkti i gatshëm. Por është edhe një industri që ka e vetmja bilanc pozitiv tregtar në vendin tonë”, tha ai.

Në kuadër të qëndrimit në Rahovec, kryeministri Hoti vizitoi edhe fabrikën “Biopak”.