Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, është shprehur i bindur se LDK do të dalë si partia e parë në zgjedhjet e reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se qeveria e udhëhequr nga ai është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Hoti tha se janë favorit për t’i fituar zgjedhjet dhe se tash iu mbetet që të përgatisin një listë me emra kredibil për të garuar në zgjedhje.

Ai edhe herë nuk ka dashur të komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, derisa potencoi se tash është e rëndësishme që të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme për t’u përgatitur zgjedhjet si duhet nga institucionet përkatëse.

“Të gjitha i diskutojmë tani jemi në përgatitje për të shkuar në zgjedhje. Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6, 7 muaj në krye të qeverisë ne jemi favoriti kryesor për të fituar këto zgjedhje. Ju e dini si e kemi gjetur vendin të bllokuar plotësisht edhe ekonomikisht edhe politikisht me sanksione ndërkombëtare nga miku më i madh i Kosovës, e kemi hapur komplet, i kemi kthyer marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi menaxhuar me pandeminë e kam thënë edhe më herët bazuar në raporte ndërkombëtare të institucioneve kredibile ndërkombëtare që vlerësojnë të gjitha vendet e botës për menaxhimin e pandemisë, Kosova është në mesin e 3, 4 vendeve që më së miri e kanë menaxhuar pandeminë. Kemi pasur një program të rimëkëmbjes ekonomike ndër më të mirën në regjion dhe më gjerë, në bazë të kapaciteteve tona dhe rreth 5 për qind e vlerës së bruto produktit vendor ne iu kemi dhënë bizneseve edhe qytetarëve pa asnjë ankesë të vetme me procedura plotësisht transparente…Tash e kemi pakon tjetër të rimëkëmbjes ekonomike që fillon menjëherë në janar dhe prandaj është e rëndësishme që të kemi sa më parë buxheti e miratuar”, tha ai.

Hoti deklaroi se gjatë qeverisjes së tij i kanë hequr nga rendi i ditës dhe nga diskursi publik disa dukuri negative si korrupsioni dhe nepotizmi.

Kryeministri në detyrë është shprehur i bindur se shumë shpejt do të ketë një dakordim në mes të grupeve parlamentare për ta miratuar buxhetin për vitin 2021.

“Jemi duke diskutuar, besoj që së shpejti do të dakordohemi, pres që të dakordohemi. Nga dje kemi filluar bisedën me të gjitha grupet parlamentarë për të kërkuar që të bëhemi bashkë që të kalojmë buxhetin, përfshi edhe LVV-në dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që janë të lidhura me buxhetin. Është tepër e rëndësishme të mos hyjmë në janar pa buxhet të miratuar sepse do të kemi vështirësi të panumërta, përfshi këtu edhe rënien e të hyrave buxhetore për shkak të pandemisë”, tha ai.

Hoti u pyet edhe për 2.1 milionë eurot e ‘avulluara’ nga Thesari i Shtetit, për çka tha se çështja është duke u hetuar dhe se pret të ketë rezultate së shpejti.

“Mos i ngatërroni gjërat, ajo çështje është duke u hetuar nga organet e rendit dhe unë pres që të kemi rezultate së shpejti. Mirë është të miratohet buxheti sepse do ta kemi shumë më lehtë të funksionojmë nga janari e tutje, por pavarësisht asaj zgjedhjet do të organizohen”, tha Hoti.

Këto komente Hoti i bëri në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtet-ndërtimi 1989-1999”./kp