Kryeministri i Kosovës,  Abdullah Hoti ka thënë se në ditët në vazhdim do të përcaktohet delegacioni që do të udhëtojë në Washington.

Hoti ka thënë se nuk shkon në dialog për të diskutuar për shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh.

“Nuk shkoj atje për të hapur temat që bien ndesh me Kushtetutën dhe qëndrimin tonë politik ndër vite”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se në Washington do të fillojnë procesin e dialogut për njohje reciproke.

“Në takimin në Washington fillojmë procesin e dialogut për njohje reciproke. Në atë takim unë do të përfaqësojë qeverinë e Kosovës më bazë të Kushtetutës. Delegacioni do të formohet në ditët e ardhshme”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se kanë bërë të gjitha koordinimet e nevojshme brenda koalicionit qeverisës për të ndërtuar qëndrimin për dialog.

Kërkon edhe përfshirjen e opozitës në këtë proces.

“Ajo që na duhet është ndërtim i konsensusit shtetëror, përfshirja e opozitës në këtë proces në bazë të mekanizmave që mundëson Kushtetuta”, ka thënë Hoti.